Presidentja e vendit, Vjosa Osmani, ka thënë se është thelbësore që Evropa dhe i gjithë komuniteti euroatlantik të marrin një qëndrim vendimtar dhe të vendosin sanksione kundër Serbisë dhe presidentit të saj, Aleksander Vuçiç.
Osmani ka folur në pritjen e organizuar nga ambasada gjermane në Prishtinë, për të shënuar Ditën e Bashkimit të Gjermanisë. Aty, ajo ka falënderuar gjermanët që qëndruan krah Kosovës sipas saj në momente shumë të vështira.
“Pak më shumë se një javë më parë, Kosova ka qenë shënjestër e një akti agresioni dhe një akti terrorist, që natyrisht po tregon se ne duhet të qëndrojmë së bashku si demokraci përballë një agresioni të tillë. Është mënyra se si veprojmë dhe si reagojmë në momente të tilla që hap rrugën përpara. Janë këto zhvillime që kanë krijuar fuqinë përfundimtare për të formësuar rrjedhën e historisë ndërsa ecim përpara. Ne duam të falënderojmë Gjermaninë si dhe të gjithë aleatët tanë që qëndruan me ne në këto momente shumë të vështira ndërsa përballemi me agresionin nga fqinji ynë”, ka thënë Osmani.
Osmani ka thënë se nuk mund të mbyllen sytë para dëshmive që tregojnë për përfshirjen e Serbisë në aktin e agresionit kundër Republikës së Kosovës.
“E mirëpresim shumë gatishmërinë e Gjermanisë për të rritur praninë e saj ushtarake në Kosovë si pjesë e misioneve të KFOR-it. Ndaj sot, bashkimin derisa festojmë e kombit të madh gjerman, nuk mund të mbyllim sytë para dëshmive që tregojnë për përfshirjen e Serbisë në aktin e agresionit kundër Republikës së Kosovës. Gjithashtu duam t’i falënderojmë të gjithë për ngushëllimet për heroin tonë të rënë Afrim Bunjakun dhe solidaritetin e treguar ndaj Republikës së Kosovës dhe popullit të saj. Është thelbësore që Evropa dhe gjithë komuniteti euroatlantik të marrin një qëndrim vendimtar dhe të vendosin sanksione kundër Serbisë dhe Vuçiqit, duke dërguar një mesazh të qartë se aktet terroriste dhe aktet e agresionit kundër një vendi sovran, të pavarur dhe demokratik nuk do të tolerohen dhe se Serbia duhet të mbajë përgjegjësi”, ka thënë Osmani.
E ambasadori gjerman në Kosovë, Jorn Rohde, fjalimin e ka nisur duke shprehur solidaritetin me Kosovën, pas sulmit terrorist të 24 shtatorit. Ai ka thënë se Gjermania do të qëndrojë gjithmonë krah Kosovës në mbrojtjen e pozitës së saj të drejtë.
“Sulmi i javës së kaluar ishte sulm ndaj integritetit territorial të Kosovës. Vajtuam këtë humbje të jetës me familjen e Afrim Bunjakut dhe mbarë vendin. Dhe ne e përdorim këtë sulm për të riafirmuar se ne gjithmonë qëndrojmë përkrah Kosovës në mbrojtjen e pozitës së saj të drejtë si anëtare sovrane e familjes evropiane, sepse është bindja jonë e fortë, ajo që ishte e vërtetë për një Gjermani të bashkuar në vitin 1990, mbetet e vërtetë për Kosovën dhe gjithë rajonin sot. Pa Kosovën, pa Ballkanin Perëndimor, Bashkimi Evropian mbetet i paplotë. Ne kemi nevojë urgjente për de-përshkallëzim, bashkëpunim, dhe më shumë dialog për të arritur zgjidhje të qëndrueshme. Samiti i Procesit të Berlinit në Tiranë më 16 tetor është një tjetër mundësi për ta afruar rajonin me Evropën. Nuk dua të flas shumë për marrëdhëniet gjermane me Kosovën sot, sepse ato janë veçanërisht të forta dhe të ngushta”, ka thënë diplomati gjerman.
Në anën tjetër, kryeministri i vendit, Albin Kurti, ka përmendur edhe Procesin e Berlinit, për të cilin ka thënë se mund të shërbejë si forcë lëvizëse e integrimit të potë të gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor në Bashkimin Evropian.
“Republika e Kosovës dhe populli i saj kanë qenë ndër përfituesit me fat të përkushtimit të palëkundur të Gjermanisë për dinjitetin njerëzor, paqen dhe sigurinë. Në këmbim, ne jemi zotuar dhe kemi punuar pa u lodhur në praktikën e përditshme të ndërtimit, forcimit dhe mbështetjes së unitetit dhe demokracisë në këtë vend…. Unitetit të Gjermanisë i ka paraprirë rënia e Murit të Berlinit dhe në Ballkan tani kemi procesin e Berlinit, samiti i të cilit është në më pak se dy javë në Tiranë. Ne besojmë shumë në këtë proces. Ai nuk është vetëm një çelës i vërtetë për të ndezur bashkëpunimin dhe zhvillimin në rajonin tonë, por mund të shërbejë si forca lëvizëse e integrimit të plotë në Bashkimin Evropian për gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor duke shembur muret imagjinare, duke u bashkuar më mirë dhe më të fortë”, ka thënë Kurti.
Ndërsa duke folur për Ditën e Bashkimit të Gjermanisë, ambasadori Rohde ka theksuar se në këtë festohet edhe diversiteti dhe uniteti Evropës.
“Le ta shfrytëzojmë këtë ditë të veçantë për të festuar unitetin tonë si komb dhe përkushtimin tonë për një Evropë të bashkuar, edhe nëse vendi ynë thotë se nuk do të keni mundësi të takoheni në fushën e futbollit duke garuar për Kampionatin Evropian, liberalizimi i shumëpritur i vizave do t’u japë qytetarëve të Kosovës mundësi të shumta për takime në Hamburg, Berlin apo ndonjë qytet tjetër gjerman”, ka thënë ai.
Ndërsa Osmani ka thënë se Dita e Bashkimit të Gjermanisë nënvizon rëndësinë e vendimeve dhe arritjeve historike e të guximshme, si dhe “tregon se historia nuk është një proces i caktuar, por dinamik në të cilin kombet evoluojnë dhe transformohen”./KosovaPress
Top Channel