SPAK kërkon mbrojtje për prokurorët! Policia dhe Garda do të rrisin masat e sigurisë për njerëzit e Drejtësisë

02/10/2023 10:53

Mbasi prokurorja speciale Doloreza Musabelliu u mor nën ruajtje familjarisht, kryeprokurori i SPAK kërkoi rishikim të masave të sigurisë dhe mbrojtje më të shtuar të godinës nga Garda e Republikës. 

Por Dumani u kujdes t’i ruajë si sekret se çfarë u tha gjatë takimit në Polin e Drejtësisë me drejtorin e përgjithshëm të policisë, ministrin e brendshëm dhe prokurorin Kreshnik Ajazi që zbërtheu një nga anëtarët e grupit të akuzuar se kryen disa vrasje dhe planifikuan të kryenin dhe tre ndaj njerëzve të drejtësisë, Doloreza Musabelliu, Merita Selimi dhe Adriatik Doga.

Në përpjekje për të riparë një Vendim të Këshillit të Ministrave të 2019-ës, mbi sigurinë e prokurorëve në rang vendi, ministri i brendshëm njoftoi se do të kërkohet prezenca e zyrtarëve të Shërbimit Informativ për të shkëmbyer informacione në kohë të shpejtë.

“Për mua sot ka rëndësi që i kam njohur drejtuesit mbi një qasje të re do të jemi përsëri këtu. E vërteta është se kur bëhet fjalë për SPAK do të ketë një vëmendje të shtuar se ligji ia ka dhënë këtë vëmendje dhe të jeni të sigurt që policia qoftë garda e Republikës, do të rrisin masat e sigurisë për të garantuar që këto institucione të bëjnë punën e tyre”, tha ministri Taulant Balla.

Por ndërsa avokati Adriatik Doga nuk është marrë ende nën mbrojtje, masat e sigurisë u firmosën për të dyja prokuroret, Musabelliun e SPAK, që kërkoi burg të përjetshëm ndaj dy anëtarëve të grupit, dhe Merita Selimin.

Merita Selimi hetoi Anterio Kaloshin dhe Orges Bilbilin për masakrën e 2017 në qytetin e Lushnjës, ku mbetën të vrarë dy persona dhe u plagosën dy të tjerë.

Alfred Balla, kreu i KLP tha se “çdo prokuror që ndjehet i kërcënuar të njoftojë KLP”.

Takime të tilla janë sidomos shumë domethënëse jo vetëm për faktin se një prej të kërcënuarve është prokurore e SPAK, por edhe sepse drejtësia ka dështuar ndër vite të zbardhë dy krime ndaj njerëzve të drejtësisë. Njëra, atentati mafioz ndaj gjyqtarit Skerdilajd Konomi dhe tjetra, atentati në Elbasan ndaj avokatit Ravik Gurra, që të dyja ngjarjet ende pa autorë.

FOTO GALERI
8/10

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA