Hetimi i Policisë së Kosovës pas sulmit terrorist në Banjskë zbuloi se grupi terrorist kishte një plan më të gjerë.

Sipas autoriteteve të Kosovës përmes këtij sulmi do të tentohej aneksimi i veriut të vendit dhe plani tregonte 37 pikave përmes së cilave do të krijohej një korridor për në Serbi në mënyrë që të furnizoheshin me armë dhe trupa të tjerë.

Kjo ngriti alarmin edhe në NATO, ku u mor vendimi për shtimin edhe të 200 trupave britanike të misionit të KFOR-it në Kosovë.

Pas tetë ditësh që nga sulmi terrorist, KFOR-i dhe EULEX-i po vazhdojnë patrullimin në veri të Kosovës, përgjatë rrugëve magjistrale që të lidhin me pikat kufitare Jarinjë dhe Bërnjak.

Kjo është e vetmja pikë statike e KFOR-it në rrugën që të çon në pikën kufitare në Jarinjë.

Patrullimi është më i shtuar në fshatin e Banjskës ku gjatë së hënës KFOR-i u pa të patrullonte në rrugën mbi këtë fshat që të çon në kufirin me Serbinë. Në një pikë statike në kodër janë të vendosur edhe njësia speciale e Kosovës.

Ndërkohë, fshati, deri në një pikë i është kthyer normalitetit edhe pse në pika të ndryshme vazhdojnë të jenë prezentë Policia e Kosovës. Të hënën edhe ekipet e zjarrfikësve kanë pastruar rrugët e Bansjkës nga gjithçka që kishte mbetur nga sulmi terrorist mbi Policinë e Kosovës.

Megjithatë, njohësit e çështjeve politike thonë që duhet të pritet episodi i dytë i ngjarjeve.

“Paraqitja e ndonjë organizate terroriste, tashmë shqiptare me ndonjë kërkesë që do të komprometonte shtetin e Kosovës. Nuk do të thotë që të jenë shqiptarë, mund të jenë serbë”, tha Nexhmedin Spahiru-profesor i shkencave politike.

Për shkak të sigurisë, prej tetë ditësh, pikat kufitare në Bënjak e Jarinjë janë të mbyllura. Këtu në Jarinjë i gjithë qarkullimi që bëhet është në dalje, në drejtim të Serbisë dhe me kontrolle të rrepta.

Planin e grupit terrorist për aneksimin e Veriut të Kosovës e ka mohuar Ushtria e Serbisë, duke thënë që ushtria serbe është organizatë serioze dhe nuk duron gënjeshtrat.

Bashkimi Evropian thotë se Kosova po kryen hetime mbi sulmin, duke i kërkuar Serbia bashkëpunim pa kushte. Të dielën e 24 shtatorit, Policia e Kosovës u sulmuar nga grupi terrorist i përbërë nga të paktën 30 serbë. Nga ky sulm mbeti i vrarë edhe rreshteri, Afrim Bunjaku.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA