Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i Policisë së Kosovës, Gazment Hoxha kanë zbuluar pamjet e vrasjes së efektivit Afrim Bunjaku në Banjskë më 24 shtator nga një sulm terrorist serb.
Përmes një konference të përbashkët për medie, Hoxha theksoi se Bunjaku është vrarë nga detonimi i një mine antikëmbësorie.
“Vrasja e rreshterit tonë, Afrim Bunjaku ka ndodhur me detonim të minës antikombësorike, të detonuar nga afërsia, me teledirigjues dhe me bateri elektrike që është përdorur nga gripi terrorist, së pari. Pastaj, kanë vazhduar sulmet direkte me raketa hedhës nga pozicionet në dhe afër manastirit, diku 300-400 metra vija ajrore nga vendi ku është vararë rreshter, Afrim Bunjaku. Ky është momenti i sulmit”, theksoi Hoxha.
Efektivi i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku u vra në orët e para të mëngjesit të 24 shtatorit nga një sulm terroristësh serbë në Banjskë të Zveçanit, ku mbetën të plagosur kolegë të tij. Hoxha tha se Policia e Kosovës vijon hetimin në veri edhe një javë pas sulmit vdekjeprurës.
Sulmuesit serbë u strehuan në manastirin e fshatit, pasi e kishin sulmuar në një pritë një patrullë të policisë, nga ku e vazhduan konfrontimin me policinë, dhe si pasojë tre prej tyre u vranë. Ndërsa një i katërt u gjet i vdekur më vonë. Hoxha njoftoi se është duke u hetuar edhe Kisha Ortodokse dhe manastiri “për të parë rolin e tyre të mundshëm në sulm apo nëse e ka ndihmuar grupin terrorist”.
“Objektivat tona janë shumë të qarta, manastiri duhet të ruhet me çdo kusht dhe policia duhet të jetë shumë e kujdesshme në veprime ndaj manastirit dhe personelit të tij”- tha Hoxha, duke shtuar se gjatë operacionit “tonë brenda manastirit u gjetën 49 persona civilë, 43 pelegrinë dhe gjashtë personel, asnjëri nga këta nuk është dëmtuar apo keqtrajtuar.”
Nga ana tjetër, ministri Sveçla njoftoi se një tjetër sasi armatimi u gjet në Banjskë gjatë operacionit të forcave të Kosovës të dielën – krahas armëve dhe municioneve në sasi të mëdha, të konfiskuara tashmë në ditët pas sulmit.
Top Channel