Parandalohet vrasja në Durrës! 37-vjeçari kapet me armë zjarri me silenciator pak para se të kryente veprën/ Emri

01/10/2023 11:23

Një vrasje e planifikuar është parandaluar në Durrës nga Policia. 

37-vjeçari Aldi Mustafa, një person me precedent të theksuar kriminal dhe rrezikshmëri të lartë, i pajisur me armë zjarri “Scorpion” me silenciator, ishte rrugës duke shkuar për të vrarë një person.

Policia në bazë të informacioneve, e kanë lokalizuar automjetin me të cilin po lëvizte Aldi Mustafa, në lagjen nr. 15., së bashku me 29-vjeçarin Klevis Kurdiu, dhe u kanë kërkuar të ndalojnë.

Makinën tip “Benz” e drejtonte vetë Mustafa, i cili nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe ka tentuar të largohet me shpejtësi, por nuk ka mundur dot pasi është bllokuar nga shërbimet e Policisë.

Ata u arrestuan për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, i armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësve të policisë”.

Gjatë kontrollit të automjetin, policia gjeti armën e zjarrit me silenciator dhe municion luftarak, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Mustafa është i dënuar më parë brenda dhe jashtë vendit, për armë, drogë, kanosje dhe tentativë vrasjeje.

“Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve të Rënda të DVP Durrës, falë inteligjencës policore se një shtetas me precedent të theksuar kriminal po qarkullonte i armatosur dhe kishte planifikuar të kryente një vrasje, menjëherë kanë organizuar punën dhe në bashkëpunim me Forcën e Posaçme Operacionale dhe “Shqiponjat”, kanë zhvilluar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Tentativa””, thuhet në njoftimin e policisë.

Sipas policisë në bashkëpunim me Prokurorinë vijojnë veprimet e thelluara hetimore për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të këtij rasti. Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Durrës, për veprime të mëtejshme.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA