Shkollat shqiptare në veri të Kosovës kanë hapur dyert për nxënësit me kohë, por problemet nuk kanë munguar.

Jo të gjithë nxënësit janë pajisur me tekste shkollore për vitin e ri akademik, ndërsa për librat e nxënësve nga klasa e parë deri në të pestën kanë pranuar donacion.

“Jemi pajisur 97% e nxënësve, prej të parës deri në klasën e pestë na janë siguruar librat falas, prej gjashtë deri në nëntë janë përdorë librat e vjetër”, thotë Enver Hasani, drejtor i Shkollës “Osman Nura” në Çabër.

Drejtori i shkollës së vetme shqiptare në Zubin Potok thotë se librat e vjetër i kanë shkëmbyer me shkollat e tjera.

“Kemi shkëmbyer, prej të shtatës i kemi marrë nga Boletini, për klasën e nëntë u kemi dhënë diçka shkollës”, shpjegon Hasani.

Edhe në shkollën në fshatin Boletin të komunës së Zveçanit, disa nxënës të ciklit të lartë kanë mbetur pa tekste.

“Vetëm ka mbetur klasa e nëntë për shkak të numrit të madh këtë vit dhe jemi mundu t’i kompletojmë këtë vit, por s’kemi arritur”, thotë Eshref Peci, drejtor i Shkollës “Isa Boletini” në Boletin.

Përkundër shpresës që ka sjellë zgjedhja e një shqiptari në krye të komunës, problemet e vjetra vazhdojnë për nxënësit e kësaj shkolle.

“Në vazhdimësi kemi pas problem udhëtimin. Prej klasës së gjashtë deri në të nëntën nxënësit vijnë nga Lipa dhe Zhaha, një udhëtim prej 7-8 kilometra“, tregon Peci.

Edhe shkollat serbe në komunat veriore të Kosovës kanë nisur procesin mësimor, megjithatë pa asnjë koordinim me institucionet lokale.

Kryetari i Zubin Potokut, Izmir Zeqiri, thotë se refuzojnë komunikimin.

“Komunikimin e kemi shumë të vështirë, përkundër përpjekjeve nga dikasteret e ndryshme, por këto janë vijat që na ndajnë”, thotë Zeqiri.

Në katër komunat e Veriut, mësimi zhvillohet në shkolla të ndara shqipe dhe serbe, që po ashtu funksionojnë me planprograme të ndryshme.

Shkollat në gjuhen serbe i përshtaten sistemit arsimor të Serbisë dhe ato në gjuhën shqipe sistemit të Kosovës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA