Në Gjirokastër edhe kjo fundjavë do të jetë festive dhe qyteti po grumbullon vizitorë nga e gjithë Shqipëria dhe rajoni.
Eventi i fundjavës Kult-Art vjen në edicionin e pestë dhe është një festë ku kombinohet arti me kulturën, kulinarinë, artizanatin dhe muzikën.
Ngjarja në kuadër të ditëve të trashëgimisë kulturore solli në Gjirokastër rreth 55 artizanë nga vende të ndryshme, 25 prodhues lokalë, por dhe grupet polifonike të të rinjve të Lazaratit, Tepelenës, grupin polifonik udhëhequr nga mjeshtri Roland Çenko si dhe orkestrinat e Ermal Kores dhe të Kujtim Dules.
Artizanët që mbushin pazarin shprehen të kënaqur me pjesëmarrjen dhe mundësinë që produkte autentike shqiptare kanë për tu ekspozuar dhe shitur.
Ramizi që bën punime në dru e vjen nga Ulqini tregon se punimet pëlqehen nga vizitorët dhe shpesh destinacione si Gjirokastra i japin vlerë edhe punës artizanale nëse ekspozohet.
Fata nga Mitrovica vjen për herë të parë në panair. Bashkë me të motrën ajo sjell traditën qindravjeçare të tezgjahut me punime qilimash dhe miniatura të tyre që vijnë në trajtë suveniresh.
Gjirokastra edhe këtë fundjavë është e rezervuar në kufijtë e kapaciteteve maksimale. Ky vit pritet të shënojë një zgjatje të sezonit standard me të paktën 20 ditë favorizuar edhe prej kalendarit intensiv të eventeve.
Top Channel