Portokalli vazhdon të shkëlqejë edhe në vitin e 20-të të krijimtarisë.

Kjo është prova e fundit gjenerale që po zhvillohet në studiot e Top Channel, për t’u rikthyer në sezonin e ri në ekranin e të gjithë shqiptarëve.

“Për të zbuluar nuk zbulojmë asnjë gjë, kështu që na ndiqni në orën 21:00 në ekranin e Top Channel, ditën e diel, mirupafshim”, u shpreh Salsano.

Por jo, Salsano nuk tregohet vërtet kaq i kursyer me informacionet e shoë-t më të ndjekur të humorit. Ai do të vazhdojë të moderojë në krah të dy biondeve të mençura dhe bukuroshe të ekranit, Xhemi Shehu dhe Fjoralba Ponari, teksa tregon se në listën e personazheve të panumërta ndër vite, në 20-vjetorin e “Portokallisë” do të kulmojë me surpriza, aktorë të rinj dhe imazhe të dashura për publikun.

“Është dhe viti i 20 i “Portokallisë”, janë bërë 40 sezone, ka rreth 600 shfaqje, kanë ardhur aktorë të rinj, me karaktere të reja, plus që edhe aktorët e vjetër kanë krijuar karaktere të reja. Shpresoj se do jetë një nga sezonet më të mira të historisë së “Portokallisë”, ka thënë më tej Salsano.

“Si gjithmonë ka emocione në çdo tre minuta. “Portokallia” tashmë është kthyer në një traditë. Siç e shikoni atmosfera vazhdon, ne jemi me energji të reja”, shprehet aktori Gazmend Paja.

Mbrëmja e parë e tetorit do të mbledhë pranë ekranit të gjithë shqiptarët me Portokalli, spektaklin prime time, ashtu siç Top Channel ka ditur të realizojë që në fillesa e të ruajë këtë filozofi ndër vite.

“Biletat janë shitur të gjitha mesa mora vesh, kështu që salla do jetë plot për transmetimin që do kemi nesër në orën 21:00”, shprehet Salsano.

“Jemi gati për të dielën, për publikun tonë të dashur dhe na ndiqni sepse ka gjëra shumë gjëra interesante”, u shpreh Gaz Paja.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA