Emigrimi masiv brenda dhe jashtë vendit është kthyer në një realitet të dhimbshëm në Shqipëri.
Gjithnjë e më shumë të rinjtë synojnë të shkojnë drejt kryeqytetit apo jashtë vendit për arsye dhe nevoja nga më të ndryshmet, por e kundërta ka ndodhur me Antonelin, një i ri i cili kreu studimet e tij në Tiranë dhe zgjodhi të kthehet në vendlindjen e tij për të investuar këtu, në Berat.
“Nuk mendoja shumë të kthehesha në Berat! si gjithë rinia dhe donim të iknim jashtë shtetit, nuk shihnim shumë mundësi këtu. Dhe nëse do kthehesha pas me një rrogë minimale, nuk ishte diçka që do më jepet mua zhvillim profesional. Më pas në 2020 duke parë shumë zhvillime publike zonën tonë unë po e shihja një mundësi shumë të mirë investimin në turizëm, dhe më shumë nostalgji të kthehesha në shtëpinë time të fëmijërisë. Kjo shtëpi ishte braktisur për 15 vite, unë dhe familja ishim zhvendosur në një apartament, por vija herë pas herë e vizitoja këtë shpi dhe krijoja në mendjen time një ide se si mund ta zhvilloja në të ardhmen”- shprehet Antonel Hoço.
Ndonëse e vështirë, periudha e pandemisë së Covid 19 i zgjoi Antonelit dëshirën për të investuar në qytetin e tij duke përdorur si armën e vetme dhe më të fortë një banesë të vjetër të familjes për ta kthyer atë në një bujtinë mikëpritëse për vizitorë shqiptarë dhe të huaj. Ai rrëfen se këtë iniciativë e ndërmori i vetëm pa mbështetjen e askujt, por të ardhurat i gjeti në formën më të zakonshme, përmes aplikimit të një kredie.
“Nuk kisha suport ekonomik, e nisa me pak buxhet dhe e kam bërë hap pas hapi, me hapa të ngadaltë por të sigurt, dhe me një kredi të vogël. Duke pasur pastaj besimin që kjo punë do ecte investova dhe më shumë. Tani kur kthehem pas në kohë, shoh që kthimi pas që kam bërë, ka qenë gjëja më e mirë.”
Një ide e vogël por e zgjuar i ndryshoi realitetin Antonelit, ndaj ai nuk nguron që të përcjellë shpresë dhe besim tek bashkëmoshatarët e tij që të shohin në vendin e tyre një mundësi të mirë investimi
” Të gjithë të rinjve iu them se nëse kanë një ide të qartë të investojnë në atë ide, sepse një ide e tyre mund të eci edhe në një qytet që nuk është shumë i zhvilluar. Sa më shumë ide dhe investime personale që mund të bëjmë aq më shumë zhvillohet vendi dhe rinia në Shqipëri”.
Top Channel