Nuk miratohen komisionet hetimore/ Konferenca e kryetarëve hedh poshtë kërkesën e opozitës për TIMS dhe Shëndetësinë

29/09/2023 15:00

Mazhoranca rrëzoi sërish opozitën. Konferenca e Kryetarëve e mbledhur këtë të premte ka hedhur poshtë kërkesat e Partisë Demokratike për ngritjen e dy komisioneve hetimore për ndërhyrjen në sistemin TIMS dhe për koncesionet në shëndetësi.

Kryetari i grupit parlamentar demokrat, Gazment Bardhi pas përfundimit të mbledhjes së drejtuar nga Lindita Nikolla akuzoi socialistët se po dhunon të drejtën e opozitës dhe nuk po kryen detyrën për hetimin parlamentar.

“Në përputhje me kushtetutën kërkojmë interpelanca me kryeministrin dhe nuk paraqitet në Kuvend edhe pse e ka detyrim kushtetues. Kërkojmë raportim të ministrave në komisione parlamentare dhe ministrat e zyrtarët e qeverisë nuk paraqiten, kërkojmë informacion në institucionet publike dhe informacioni i refuzohet deputetëve të opozitës dhe sot kulmoi me cenimin e të drejtës kushtetuese”, deklaroi Bardhi në një konferencë për shtyp, teksa paralajmëroi një reagim më të ashpër të opozitës për atë që e cilëson si shkelje flagrante.

Fjalën e fundit tashmë e ka seanca plenare, megjithatë nuk parashikohet të ketë surpriza: socialistët do të përdorin sërish forcën e kartonëve për të rrëzuar opozitën.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA