Mesdheu është kthyer në varrezë! Shtohet numri i emigrantëve të vdekur, 2500 viktima këtë vit

29/09/2023 12:41

Më shumë se 2,500 emigrantë kanë humbur jetën ose rezultojnë të zhdukur deri më tani për këtë vit, gjatë tentativave për të kaluar detin Mesdhe dhe për të mbërritur më pas në Europë.

Kjo shifër është rritur ndjeshëm, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë, ku viktima mbetën mbi 1680 emigrantë.

Zyrtarja e Komisionerit të Lartë të OKB-së për Refugjatët, Ruven Menikdwela, deklaroi se numri i të vdekurve është rritur me dy të tretat.

“Deri më 24 shtator të këtij viti, mbi 2,500 persona u llogaritën si të vdekur ose të zhdukur vetëm këtë vit. Ky numër përfaqëson një rritje me dy të tretat, krahasuar me shifrat e vitit 2022. Emigrantët dhe refugjatët rrezikojnë vdekjen dhe shkeljet e rënda të të drejtave të njeriut në çdo hap”, tha Menikdwela.

Por ,ajo nuk la pas edhe rrugët tokësore të kalimit të emigrantëve të paligjshëm, të cilat mbeten një nga opsionet e refugjatëve për të kaluar drejt vendeve më të zhvilluara.

Në total, rreth 186 mijë njerëz mbërritën përmes detit në Evropën Jugore nga janari deri më 24 shtator, duke zbritur në Itali, Greqi, Spanjë, Qipro dhe Maltë.

Shumica, mbi 130 mijë persona, mbërritën në Itali, duke shënuar një rritje prej 83 për qind krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022, kjo përkon edhe me bumin më të fundit në ishullin e Lampedusas që vuri në alarm autoritetet italiane.

Sa i përket pikave të nisjes, nga janari deri në gusht të këtij viti vlerësohet se më shumë se 102 mijë refugjatë dhe emigrantë u përpoqën të kalonin Mesdheun nga Tunizia dhe 45 mijë nga Libia.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA