Presidenti Joe Biden lëshoi një nga paralajmërimet e tij më të forta deri më tani, duke thënë se Donald Trump dhe aleatët e tij janë një kërcënim për demokracinë amerikane.

Ai deklaroi të enjten se ish-presidenti republikan është më i interesuar për pushtet personal sesa për të mbështetur vlerat thelbësore të vendit, duke sugjeruar se edhe republikanët janë bashkëfajtorë.

“Heshtja është shurdhuese”, tha ai.

Gjatë një fjalimi në Arizona, ku po ndërtohet një bibliotekë për nder të mikut të tij dhe kritikut të ashpër të zotit Trump, senatorit republikan të ndjerë John McCain, Presidenti Biden përsëriti një nga temat kryesore të fushatës së tij, duke e quajtur lëvizjen “Ta Bëjmë Amerikën Sërish të Madhe” si një kërcënim ekzistencial për sistemin politik të vendit.

Ai po e ringjall këtë ide përpara fushatës presidenciale të vitit të ardhshëm, pasi ajo nxiti demokratët gjatë zgjedhjeve të vitit të kaluar për Kongresin, të cilat përkuan me mesin e mandatit të tij, duke e paraqitur kërcënimin me fjalë tepër të ashpra: “Diçka e rrezikshme është duke ndodhur në Amerikë tani”.

“Ne të gjithë duhet të kujtojmë se demokracitë nuk mund të vdesin vetëm nën trysninë e një arme”, tha zoti Biden. “Ato mund të vdesin edhe kur njerëzit heshtin, kur ata nuk arrijnë të ngrihen ose të dënojnë kërcënimet ndaj demokracisë, kur njerëzit janë të gatshëm të heqin dorë nga ajo që është më e çmuar, sepse ndihen të zhgënjyer, të lodhur, të tjetërsuar.”

Ndonëse zgjedhjet presidenciale do të mbahen pas një viti, kritikat e zotit Biden ndaj zotit Trump pasqyrojnë statusin e ish-Presidentit republikan si një kryesues i padiskutueshëm në zgjedhjet paraprake të partisë së tij, pavarësisht përballjes me katër padi, dy prej të cilave lidhen me përpjekjet për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020.

Fjalimi i presidentit ishte i katërti në një seri fjalimesh mbi atë që ai e sheh si kërcënim ndaj demokracisë, një temë e rëndësishme për atë ndërsa ai përpiqet të qëndrojë në detyrë për një mandat tjetër pavarësisht rënies së mbështetjes në sondazhet e fundit dhe shqetësimit të gjerë nga votuesit për moshën e tij. Ai është 80 vjeç.

Ashtu si për fjalimet e mëparshme, vendi për fjalimin e së enjtes u zgjodh me synimin për të dhënë një efekt të posaçëm. Ai e mbajti fjalimin afër Universitetit Shtetëror të Arizonës, ku ndodhet selia e Institutit McCain, që mban emrin e senatorit të ndjerë, kandidatit republikan për president në zgjedhjet e vitit 2008, i cili gjatë gjithë karrierës politike ka denoncuar autokratët anembanë globit.

Presidenti tha se “nuk ka dyshim se Partia Republikane e sotme drejtohet dhe frikësohet nga ekstremistët e lëvizjes së udhëhequr nga zoti Trump.

Ai vuri në dukje sugjerimin e fundit të zotit Trump që Gjenerali Mark Milley, Shefi i Shtatmadhorisë amerikane, i cili do të largohet nga posti të premten, duhet të ekzekutohet për gjoja tradhti ndaj tij ish-Presidentit republikan.

“Edhe pse nuk besoj se shumica e republikanëve e ndajnë këtë mendim, heshtja është shurdhuese”, shtoi Presidenti Biden.

Rivalët republikanë të zotit Trumpin, që po garojnë për të marrë emërimin si kandidat i partisë së tyre për president, kanë shmangur në masë të madhe sfidimin e pretendimeve të rreme për zgjedhjet dhe Presidenti Biden tha të enjten se votuesit nuk mund ta falin heshtjen e tyre. /VOA

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA