Nga foltorja e Kuvendit të Kosovës, kryeministri Albin Kurti i bëri thirrje Perëndimin për sanksionim dhe ndëshkim të Serbisë nga faktori ndërkombëtar për sulmin ndaj Policisë në Banjskë të Zveçanit.
Shefi i ekzekutivit kosovar u treguar tejet i drejtpërdrejtë në deklaratën e tij.
“Për këtë akt të agresionit ndaj Kosovës, Serbia duhet të sanksionohet dhe ndëshkohet ndërkombëtarisht. Nëse kalon e pandëshkuar ajo atëherë do të përsërisë krimin. Armatimi ushtarak dhe trajnimet luftarake që i kishin profesionistët serbë të cilët sulmuan në Banjskë të dielën janë që të gjitha nga Serbia dhe të freskëta në kohë”, u shpreh Kurti.
Kurti i mëshoi idesë që shtetet partnere të Kosovës t’i shpallin terroriste organizatat që veprojnë në veri, “Mbrojta Civile” dhe “Brigada e Veriut”.
“Të dielën në Banjskë të Zveçanit kishte sulm terrorist dhe kriminal i cili cenoi integritetin territorial, sovranitetin shtetëror dhe sigurinë tonë kombëtare. Sulmuesit të cilët arritën të largohen, duhen ekstraduar, duhet t`i dorëzohen në organeve të Kosovës”, u shpreh Kurti.
Të dy këto grupe, të shpallur tashmë organizata terroriste nga Prishtina zyrtare, besohet se veprojnë në veri dhe numërojnë qindra pjesëtarë nga radhët e komunitetit serb, që janë shumicë në këtë zonë. Seanca në Kuvend nisi me një minutë heshtje në nderim të zyrtarit policor të vrarë Afrim Bunjaku, tashmë të shpallur hero. Kurti i falenderoi të gjithë shtetet që e dënuan sulmin ndaj Policisë së Kosovës dhe për mbështetjen e ofruar.
“Lufta kundër krimit e terrorit të sponsoruar nga Serbia vazhdon, tha ai, dhe do të përfundojë medoemos me fitoren e shtetit tonë të pavarur”, tha ai.
Top Channel