Zv. kryeministrja dhe njëherazi ministrja e Punëve të Jashtme të Kosovës, Donika Gërvalla ka deklaruar për “Top Story” se vetëm njohja reciproke mund t’i japë fund tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë.

Pjesë nga biseda:

Duma: Ka pasur qartësi se çfarë është kërkuar nga negociatat, çfarë është pretenduar nga qeveria Kurti në negociata?

Gërvalla: Një gjë është e pandryshuar; si para se të vinim edhe pasi erdhëm në pushtet, mbetet e pandryshuar fakti se vetëm njohja reciproke, pranimi i një realiteti nga ana e Serbisë krijon prespektivën e një realiteti dhe paqeje afatgjatë në rajonin tonë. Pra vetëm ai momenti ku Serbia e pranon që kufijtë e Ballkanit nuk do të ndryshohen më, atëherë ekziston prespektiva e një stabiliteti afatgjatë.

Duke ditur këtë fakt, duke pasur parasysh që partnerë dhe aleatë të ndryshëm të Kosovës në biseda dhe raunde të ndryshme bisedimesh, qoftë në Bruksel, qoftë në Prishtinë apo vende të tjera vazhdimisht na kanë theksuar se në qoftë se njohja reciproke është një hap i vështirë tani, të përpiqemi që të gjejmë një hap të ndërmjetëm, i cili do të ndihmonte në shtensionimin e marrëdhënieve të tendosura, me qëllim që rruga drejt njohjes reciproke që është natyrshëm zgjidhja përfundimtare, të mund të ishte më e shpejtë dhe lehtë.

Ne kemi pranuar propozimin franko-gjerman, të cilin e kemi studiuar me kujdes. Në fund i kemi besuar partnerëve tanë gjermanë dhe amerikanë, duke thënë se nëse partnerët tanë deri më sot asnjëherë nuk na kanë lënë në baltë – sidomos Amerika që është garantuesi më i rëndësishëm i Pavarësisë së Republikës së Kosovës – kemi menduar që me një marrëveshje të kësaj natyre që shënon njohjen defacto por jo dejure, do të mund të pajtoheshim.

Jemi përpjekur, kemi shkuar disa herë në Bruksel dhe në prani të evropianëve është diskutuar kjo marrëveshje. Në fund kryeministri Kurti ka shkuar më 27 shkurt të këtij viti në Bruksel me mendimin që do të firmoset kjo marrëveshje. Ne kemi qenë të gatshëm, BE ka qenë e gatshme, Serbia ka refuzuar. Edhe pse e kishte pranuar më parë gojarisht një marrëveshje të tillë, atëherë është pranuar nga Serbia dhe BE na ka thënë se edhe po nuk u bë sot, ska gjë sepse firmoset herën tjetër.

Do të kemi një plan që tregon se në çfarë etapash do ta implementojmë këtë marrëveshje, të cilat janë të pranueshme për çdo shtet demokratik dhe atëherë do të nënshkruhet.

E njëjta gjë ndodhi edhe në Ohër më 18 mars. Kosova ishte e gatshme ta firmoste këtë marrëveshje dhe të fillonte implementimin dhe Serbia u tërhoq. Kështu të krijohet përshtypja sikur Serbia e ka pranuar këtë marrëveshje vetëm duke menduar se do të kaloj edhe kjo çështje sepse Kosova do ta refuzojë.

Duma: Ku e kishte associacionin marrëveshja?

Gërvalla: Ajo ka pikën 10. Por nuk është vetëm ky problemi. Aty kërkohet zbatimi i marrëveshjeve të shkuara me predispozitën që të shkojmë drejt njohjes.

Nëse ata flasin për asociacion, pse BE nuk flet për urën e Mitorvicës? Edhe ajo është pjesë e marrëveshjeve të shkuara.

Me njohjen defakto ne mund t’i kërkojmë këto. Mirëpo, një gjë të jetë e qartë; as në Bruksel, as në Ohër ne nuk kemi lidhur me Serbinë marrëveshje asociacioni. Nëse këto marrëveshje interpretohen sikur po flasim për asociacionin, atëherë është shumë gabim.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA