Ende e pazbardhur vrasja e Durrësit, ndërsa viktima është përcjellë për në banesën e fundit.

Shërbime policore kanë ndjekur në distancë ceremoninë funerale të 37-vjeçarit Fatjon Dervishi në Katund Sukth të Durrësit, pasditen e së enjtes.

Ndërkohë policia dhe prokuroria e Durrësit po vijojnë me intensitet hetimet për zbardhjen e vrasjes së 37-vjeçarit Fatjon Dervishi alias Toni Dervishi, apo Toni Margen. Ai u vra mesnatën mes së martës dhe së mërkurës në Katund Sukth të Durrësit, kur po kthehej me automjetin e tij për në banesë së bashku me një shokun e tij, ndërsa autorët u larguan nëpër errësirën e natës.

Dy ditë pas vrasjes, burime nga grupi hetimor bëjnë me dije se po vazhdohet me verifikimin e çdo piste hetimore. Ende nuk ka një pistë të përcaktuar qartazi që të çojë në zbardhjen e ngjarjes. Elementë të ndryshëm të krimit, mungesa e ndriçimit dhe kamerave të sigurisë në vendin e ngjarjes e kanë vështirësuar zbardhjen e shpejtë të saj. Një breshëri kallashnikovi është zbrazur në drejtim të automjetit që drejtohej nga viktima, që, sipas policisë vendore, dhe pse nuk kishte precedentë të regjistruar penalë në vendin tonë ishte i skeduar si person problematik dhe ishte nën hetim për trafik narkotikësh në Hollandë.

Ishte një larje hesapesh për prishjen e pazareve të drogës, një hakmarrje për përfshirjen e dyshuar të Fatbardhit, vëllait të tij në zhdukjen e një personi në Spanjë, atje ku dhe u kap e u ekstradua për llogari të drejtësisë shqiptare në korrik të këtij viti, apo një paralajmërim që përfundoi me vrasjen e tij? Plumbat e derdhur mbi automjetin e drejtuar nga Fatjon Dervishi e kanë prekur në pjesën e poshtme të trupit, dy prej tyre në arterien femurale që i shkaktoi dhe vdekjen për shkak të gjakderdhjes.

Personat e shoqëruar në cilësinë e personave që mund të kenë dijeni për ngjarjen, pas dëshmive përkatëse janë lënë të lirë, ndërsa po këqyren kamerat e sigurisë të cilat janë të pakta në zonë, pasi një pjesë e lokaleve dhe bizneseve janë detyruar t’i heqin pas aksionit të ndërmarrë nga policia për heqjen e tyre disa muaj më parë.

E ndërsa po punohet për të siguruar më shumë informacion mbi të kaluarën e viktimës, nuk është lënë jashtë vëmendjes hetimi për personin që ndodhej në automjet me të.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA