Top Channel ka siguruar pamje nga shtëpia në Banjskë, ku dyshohet se ka qëndruar nënkryetari i Listës Serbe, Millan Radojçiç, gjatë sulmit ndaj Policisë së Kosovës.
Banesa tri katëshe e vendosur në kodër ofron mundësi për të kontrolluar zonën, fakt tjetër që tregon se sulmi ishte i mirëorganizuar.
Edhe në pamjet e publikuara një ditë më parë nga ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, duket grupit terrorist i drejtuar nga Radojçiç, i vendosur në këtë shtëpi. Të gjithë janë të armatosur.
Sot, Njësitë speciale të policisë janë kudo në rrugën për në Manastirin e Banjskës. Në pamje duken ende gjurmët e orëve të para të së dielës, xhama të thyera nga plumbat, kamionë të shkatërruar.
Banorët janë mbyllur brenda shtëpive të tyre dhe nuk pranojnë të flasin për mediat shqiptare. Ndërsa për mediat serbe ata thanë se janë të frikësuar.
Policia e Kosovës konfirmoi se ka arritur në tetë numri i të arrestuarve lidhur me sulmin ndaj saj në Banjskë, ndërsa katër prej tyre janë liruar.
Top Channel