Ishte ora dy e mëngjesit të datës 26 shtator 2022, kur stacionet sizmike në Danimarkë, Suedi dhe Gjermani regjistruan një tërmet të dobët.
Në të njëjtën kohë, operatorët e Nord-Stream regjistruan një rënie të papritur të presionit në tubacionin e gazit prej 1.200 kilometrash që lidh Rusinë dhe Gjermaninë.
Me zbardhjen e dritës së agimit, mbi Detin Baltik u panë fluska të mëdha metani që ngriheshin në sipërfaqe të ujit nga një thellësi prej tetëdhjetë metrash pranë ishullit danez të Bornholm. Pasuan të dhëna të tjera shokuese. Shumë shpejt bëhet e qartë se tre nga katër linjat e gazsjellësit Nord-Stream janë hedhur në erë. Elementi qendror i infrastrukturës energjetike gjermane dhe evropiane u shkatërrua.
Në këtë mënyrë, lufta e Ukrainës, e cila kishte filluar para shtatë muajsh, më në fund arriti deri tek rezervuarët gjermanë të gazit.
Reagimet e ashpra
Më pas faktet i lanë vendin spekulimeve, hamendësive dhe dyshimeve. Menjëherë pas sulmit, shumë vazhduan të drejtonin gishtin drejt Moskës. Një këshilltar i presidentit ukrainas, Mihailo Podolyak, shkroi në Twitter: “Rrjedhja e gazit në shkallë të gjerë në Nord-Stream 1 nuk është gjë tjetër veçse një sulm terrorist i planifikuar nga Rusia dhe një akt agresioni kundër BE-së”.
Deklaratat zyrtare ishin të ashpra: “Çdo ndërprerje e qëllimshme e infrastrukturës aktive evropiane të energjisë është e papranueshme dhe do të çojë në reagimin më të fortë të mundshëm,” shkroi presidentja e Komisionit Evropian Ursula von der Leyen në Twitter, pasi foli me kryeministren daneze Mette Frederiksen një ditë pas sulmit.
Por, as një vit pas shpërthimeve, ende nuk dihet zyrtarisht se kush qëndron pas sulmit në tubacionet e gazit. Hetimet po vazhdojnë në Gjermani, Suedi dhe Danimarkë, por shumë pak rezultate bëhen publike. Prandaj i kushtohet vëmendje e madhe informacioneve të publikuara nga gazetarët investigativë.
Gjurmët të çojnë në Ukrainë
Në mars 2023, një ekip hetues gjerman shkaktoi një bujë reagimesh, me kërkimet e veta ku dolën të dhëna që tregonin për përzierjen e Ukrainës në këto sulme. Rolin qendror e luan varka me vela 15 metra e gjatë “Andromeda”. Sipas hulumtimit të shërbimit publik ARD dhe të përjavshmes “Die Zeit”, pesë burra dhe një grua u nisën më 6 shtator 2022 me këtë varkë me vela nga porti i Varneminde në Detin Baltik. Kjo ka ndodhur tre javë para sulmit. Sipas Zyrës Federale të Policisë Kriminale në Gjermani, në anije u gjetën gjurmë eksplozivi – i njëjti që u gjet në fund të Detit Baltik.
Në fillim të qershorit, një raport u shfaq në “Washington Post” që mbështeste këtë version. Sipas tij, shërbimet sekrete evropiane dhe amerikane u paralajmëruan në qershor 2022 për planet e komandove ukrainase për të sulmuar tubacionet e gazit Nord-Stream. Të dhënat e inteligjencës janë të detajuara, aty përmenden konkretisht gjashtë persona, zhytës, një jaht… Sipas gazetës nga Uashingtoni, komanda është drejtpërdrejt në varësi të oficerit më të lartë ukrainas, gjeneralit Valery Zaluzhny. Dyshohet se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky nuk ishte i informuar për këto plane.
Pas një kërkimi të gjerë në fund të gushtit, një ekip hulumtues prej mbi 20 personash nga revista gjermane “Spiegel” dhe televizioni ZDF arritën gjithashtu në përfundimin se “të dhënat çojnë në një drejtim – në Ukrainë”. Gazetari Wolf Widmann-Schmidt ishte pjesë e këtij ekipi. Ai thotë për DW se “hetuesit nuk kanë gjetur asgjë që mund të dëshmonte se Rusia mund të qëndronte pas këtij sulmi, e edhe më pak që SHBA-të mund të qëndronin pas sulmit. Nuk ka asnjë provë për këtë”.
Në shkurt, gazetari i njohur amerikan Sizemore Hersh, në raportin e tij që u përhap shpejt, dyshoi se SHBA qëndronin pas shpërthimit të tubacionit. Por kishte mospërputhje në rrëfimin e tij. Dhe mbi të gjitha: reporteri amerikan e bazoi raportin e tij në vetëm një burim, anonim.
Motivet e Moskës dhe Uashingtonit
Hersh përmendi deklaratat e presidentit amerikan Joseph Biden gjatë vizitës inauguruese të kancelarit Olaf Scholz, në fillim të shkurtit 2022, para sulmit rus në Ukrainë. Pas takimit me Scholzin, Biden u tha gazetarëve: “Nëse Rusia sulmon Ukrainën, Nord-Stream 2 nuk do të ekzistojë më. Ne do t’i japim fund atij”.
Deklarata të ngjashme kanë bërë edhe politikanë të tjerë të lartë amerikanë, si Victoria Nuland apo Anthony Blinken.
Partneriteti energjetik gjermano-rus ka qenë sigurisht një gjemb në sy për SHBA-në për një kohë të gjatë – shumë kohë përpara luftës në Ukrainë. Ishte problem edhe për Ukrainën, por edhe për disa vende të tjera evropiane. Uashingtoni ka kohë që përpiqet të pengojë ndërtimin e Nord-Stream 2 dhe në një masë të madhe e ka penguar me sanksionet e tij.
Por edhe Rusia mund të ketë një motiv për të shkatërruar tubacionin e gazit. Përkatësisht, gjatë verës së vitit 2022, kompania ruse Gazprom ndaloi transportin e gazit përmes Nord-Stream 1 dhe në këtë mënyrë shkeli kontratën për dërgesat e garantuara. Kjo hapi derën për kërkesat e mundshme për kompensim të dëmeve nga partnerët perëndimorë. Pas shkatërrimit të gazsjellësit, Gazprom tani mund të thirret në “shkaqe madhore”, që do të thotë se kërkesat për kompensim janë të pavlefshme.
Krim i luftës sipas të drejtës ndërkombëtare
Sulmi në Nord-Stream është një akt i paligjshëm edhe në kontekstin e një konflikti ushtarak sipas ligjit ndërkombëtar të luftës, shpjegon për DW eksperti i të drejtës ndërkombëtare Stefan Talmon nga Boni. “Tubacionet e gazit Nord-Stream janë një projekt infrastrukturor civil. Sipas Statutit të Romës të Gjykatës Ndërkombëtare Penale, shkatërrimi i infrastrukturës civile nuk është vetëm një shkelje e ligjit ndërkombëtar, por është edhe një krim lufte”.
Megjithatë, është e pasigurt nëse do të zhvillohet ndonjë lloj gjyqi. Kancelari gjerman Olaf Scholz (SPD) është në favor të fillimit të një çështjeje gjyqësore në Gjermani lidhur me sulmet në Nord-Stream. Ministrja e Brendshme Nansi Faeser (SPD) shpreson se prokurori federal do të gjejë prova të mjaftueshme për të ngritur aktakuzë.
Por, duke qenë se indikacionet tregojnë se forcat ukrainase mund të jenë përgjegjëse për këtë, gazetari investigativ me bazë në Berlin, Widmann-Schmidt thotë se i duket se përfaqësuesit e autoriteteve në Gjermani duan ta shmangin këtë temë. “Ata nuk mund të hedhin poshtë një krim kaq të rëndë, por nuk mund të ndalojnë së mbështeturi as Ukrainën në luftën kundër Rusisë. Kështu që të gjithë këtu në Berlin e shmangin këtë pyetje sa më shumë që të jetë e mundur.”
Ndërkohë, Prokuroria Publike Suedeze ka njoftuar se do të përfundojë hetimet deri në fund të vitit. Ne i presim rezultatet me padurim./ DW
Top Channel