Kreu i Dhomës së Ulët i Parlamentit të Kanadasë ka dhënë dorëheqjen pasi për të ndjekur fjalimin e Volodymir Zelenskyt aty, kishte ftuar një individ i cili rezultoi të ketë luftuar për një njësi naziste gjatë Luftës së Dytë Botërore
Pas fjalimit të Zelenskyt, ligjvënësit kanadezë duartrokitën për 98-vjeçarin Yaroslav Hunka në momentin që kryetari Anthony Rota përmendi emrin e tij. Rota e prezantoi Hunkëna si një hero lufte të rreshtuar me Divizionin e Parë të Ukrainës. Por në fakt, hulumtuesit treguan të kundërtën. Ata publikuan faktin se Divizioni i Parë i Ukrainës njihej gjithashtu si “Divizioni Waffen-SS Galicia”, ose Divizioni i 14-të i Waffen SS, një njësi vullnetare që ishte nën komandën e nazistëve.
“Askush në këtë Dhomë nuk është mbi të tjerët. Për këtë arsye, unë duhet të largohem si kryetari juaj. E përsëris keqardhjen time të thellë për gabimin tim në njohjen e një individi gjatë fjalimit në Parlament të Presidentit Zelenskyy. “Ky vlerësim publik u ka shkaktuar dhimbje individëve dhe komuniteteve, përfshirë komunitetin hebre në Kanada dhe në mbarë botën, përveç të mbijetuarve në Poloni mes kombeve të tjera. Unë mbaj përgjegjësi të plotë për veprimet e mija”, tha Anthony Rota, kryetar i Dhomës së Ulët, Parlamenti i Kanadasë.
Pas incidentit, dorëheqjen e Rotës e kërkuan të gjitha partitë kryesore të opozitës, të cilat thanë se ai e kishte humbur tashmë besimin e ligjvësnësve.
“Kjo ka sjellë turp dhe siklet për të gjithë Parlamentin dhe në të vërtetë të gjithë kanadezët. Kryetari bëri gjënë e duhur duke dhënë dorëheqjen”, u shpreh deputetja Karina Gould. Gould tha më herët se Rota e kishte ftuar dhe kishte shprehur vlerësime për ish-nazistin Hunka pa dijeni të qeverisë apo të delegacionit nga Ukraina.
Top Channel