Detaje nga vrasja në Sukth/ Viktima emër i njohur për policinë, vëllai në burg, larje hesapesh pista kryesore e hetimit

27/09/2023 09:14

Detaje të reja kanë dalë në dritë nga vrasja e Fatjon Dervishit në Sukth të Durrësit.

Ai u qëllua në zonën e shinave pranë fshatit Katund. Sipas gazetares Dorjana Bezat, dyshohet se autorët e kanë ndjekur nga lokali ku po qëndronte, deri tek shinat, ku mjeti uli shpejtësinë dhe më pas hapën zjarr drejt 38-vjeçarit duke e plagosur rëndë.

Më pas Dervishi humbi jetën në spital, ndërsa shoku i tij nuk mori lëndime.

Fatjon Dervishi është emër i njohur për policinë sepse ka qenë i skeduar për drogë dhe krime ndaj personit e pronës, por asnjëra prej këtyre nuk i është provuar. Ndërkohë vëllai i viktimës, Fatbardh Dervishi ndodhet në burg.

Mësohet se veç mbiemrit Dervishi, vëllezërit mbanin edhe mbiemrin Doda.

Vëllai i viktimës ka qenë i përfshirë në një grup kriminal në Spanjë, ku është dënuar për pastrim parash. Sipas informacioneve, ai dyshohet gjithashtu për zhdukjen e një personi në Spanjë. Në vitin 2018 Fatbardh Dervishi dyshohet se ka zhdukur personin e identifikuar si Tauland Malshi.

Në ditët e para të vitit 2022, Fatbardh Dervishi plagosi të dashurën 23-vjeçare nga Durrësi në një dhomë hoteli teksa po festonin së bashku vitin e ri. Pas plagosjes në hotel 32-vjeçari u largua nga vendi i ngjarjes. Në atë kohë e plagosura e shfajësoi Dervishin duke deklaruar se ishte një ngjarje pa dashje, po në gjykatën e Durrësit vijon gjykimi ndaj tij për plagosje të lehtë.

Aktualisht ai ndodhet në burg për këtë vepër penale dhe për dënimin që mori në Spanjë. Sipas informacioneve, deri më tani larja e hesapeve është pista kryesore ku po heton policia.

Gjashtë persona janë shoqëruar nga policia e Durrësit në funksion të zbardhjes së vrasjes që ndodhi natën e kaluar në Katund të Sukthit.

Policia po vijon me intensitet hetimet, ndërsa po këqyren edhe pamjet e kamerave të sigurisë në mënyrë që të kuptohen lëvizjet e viktimës dhe autorit.

38-vjeçari Fatjon Dervishi u qëllua natën e kaluar ndërsa po kthehej me makinë në shtëpi bashkë me shokun e tij, pasi kishin qëndruar në një lokal.

Kontrolle të shumta janë ushtruar në të gjithë zonën përreth dhe në hyrje-daljet e autostradës. Në ndihmë të policisë së Durrësit kanë mbërritur edhe dy grupe të FNSH-së Tiranë.

Grupi hetimor po vijon veprimet për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes, me qëllim identifikimin dhe kapjen e autorit dhe bashkëpunëtorëve të tij në këtë krim. Errësira në zonë nuk ka ndihmuar për të dhënë detaje që do të ndihmonin zbardhjen e shpejtë të ngjarjes.

FOTO GALERI
10/13

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA