Samuel Umtiti vendosi këtë verë të zgjidhte në mënyrë konsensuale kontratën me Barcelonën dhe të rikthehej në Ligue 1, aty ku tashmë mbron ngjyrat e Lille.
Në një intervistë për prestigjiozen franceze, L’Equipe, mbrojtësi thekson se dy sezonet e fundit kanë rezultuar shumë të vështirë, ndërsa gjen mëmyrën edhe për t’i dërguar një mesazh të rinjve.
“Jeta është e tillë dhe gjatë karrierës kupton që ka shumë ulje dhe ngritje. Janë disa situata të cilat nuk janë në dorën tonë dhe thjesht duhet të përshtatemi. Ky është edhe një mesazh që dua t’ia përçoj të rinjve të cilëve iu them se duhet të jetojnë momentin dhe të përfitojnë përsa kohë gëzojnë shëndet të plotë.
Në të kaluarën kisha grumbulluar shumë mëri, kjo nuk më lejonte të bëja përpara. Në dy sezonet e fundit kam përjetuar momente shumë të vështira, por që tani dua t’i hedh pas krahëve dhe kështu të mund të shoh përpara.
Tani e di shumë mirë se ku jam dhe se ku dua të mbërrij. Këtu te Lille të gjithë luajmë për të mbërritur sa më lart të jetë e mundur. Ajo që dëshiroj është të bëj mirë dhe që njerëzit ta kuptojnë kualitetin tim”, u shpreh Kampioni i Botës në vitin 2018 me Francën. /Supersport
Top Channel