Peshkopi Teodosije sot pasdite ka vizituar manastirin e Banjskës, ku igumeni Danilo e ka njoftuar për ngjarjet e djeshme dhe të sotme që ndodhën në Manastiri e Banjskës dhe rrethinën e tij, ku u sulmua policia e Kosovës.

Sipas njoftimit nga kisha e Rashko-Prizrenit, EULEX-i dhe policia e Kosovës kanë qenë gjatë gjithë ditës në manastir për të kryer hetimet.

Kisha pranon se brenda oborrit të manastirit u gjetën armë dhe mjete të tjera, dhe gjithashtu thotë se nuk ka njolla gjaku në muret e manastirit nga brenda, duke treguar se nuk ka pasur viktima gjatë ngjarjes.

“EULEX-i dhe policia nuk gjetën asgjë që mund të rrezikonte manastirin dhe vëllazërinë në lagjet e manastirit dhe kishën, të cilat ndodhen brenda mureve të manastirit dhe ishin të mbyllura gjatë të gjitha ngjarjeve.

Por në dy vende në oborrin e manastirit janë gjetur armë zjarri, armë të ftohta dhe pjesë të pajisjeve, të cilat personat e armatosur i kanë hedhur larg kur janë tërhequr nga manastiri. Gjithashtu, ata nuk kanë hasur në asnjë gjurmë gjaku në manastir dhe gjatë gjithë kohës së ngjarjes nuk ka pasur viktima brenda mureve të manastirit”, thuhet në njoftim.

Ekspertët e mjekësisë ligjore morën gjurmët e gishtërinjve dhe intervistuan besimtarët, të cilët më pas, të shoqëruar nga policia dhe EULEX-i, udhëtuan për në shtëpitë e tyre përmes vendkalimit Jarinje.

Igumeni Danilo, gjatë bastisjes së manastirit, i ka treguar EULEX-it dhe policisë të gjitha ambientet e rezidencës, nga ku shihet se murgjit dhe besimtarët në asnjë mënyrë nuk kanë marrë pjesë në ngjarjet tragjike. Jeta monastike në manastir po normalizohet dalëngadalë.

Dioqeza e publikon këtë deklaratë kryesisht për arsye të përgënjeshtrimit të spekulimeve dhe lajmeve të ndryshme arbitrare që shfaqen dhe përhapen në media.

Peshkopi Teodosije vazhdon t’u bëjë thirrje të gjithëve që të qetësojnë tensionin dhe të ruajnë paqen duke mbajtur kontakte me KFOR-in, EULEX-in dhe ambasadorët e Kuintit, për mbrojtjen e shenjtërores dhe popullit tonë besimtar. Kisha jonë mbetet e vendosur dhe e angazhuar në zgjidhjen e të gjitha problemeve në Kosovë e Metohi përmes mjeteve paqësore dhe dialogut, duke dënuar të gjitha format e kërcënimeve dhe dhunës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA