Ernest Muçi e ka nisur në mënyrë të shkëlqyer këtë sezon me Legian e Varshavës teksa sulmuesi i kombëtares ka realizuar deri më tani shtatë gola në të gjitha kompeticionet. Dy golat e fundit erdhën në Europa League ndaj Aston Villas duke i dhuruar Legias një fitore fantastike me shifrat 3-2.
Në një intervistë të fundit për mediat polake, ish-futbollisti i Tiranës theksoi se mori shumë telefonata pas dygolëshit ndaj skuadrës angleze ndërsa nga ana tjetër zbuloi edhe pozicionin e preferuar në fushë.
“Pas ndeshjes me Aston Villan, njerëzit ishin shumë krenarë me mua. Mora telefonata të shumta, të gjithë më uruan. Arritëm një fitore të madhe sepse ishte një fitore historike. Jam shumë i lumtur ashtu siç është e gjithë Varshava”.
A është e vërtetë që Muçi është në shitje? “Nuk e di këtë, varet nga klubi. Unë jam i fokusuar te fusha dhe për pjesën tjetër kujdeset drejtori sportiv”.
Si ia del që je aq i shpejtë me topin në zotërim, por edhe pa topin në këmbë? “Ka të bëjë shumë stërvitja, por është edhe një dhunti me të cilën kam lindur. Jam i lumtur që performoj para një tifozerie kaq të madhe sa ajo e Legias. Jam shumë kurioz për sezonin aktual, për mua është shumë i rëndësishëm pasi dua të zhvillohem edhe më shumë”.
Pozicioni i preferuar në fushë? “Mund të luaj si sulmues, si numër 10, si nëntë false dhe po ashtu në krah. Jam një lojtar që pëlqej shumë sulmin dhe kërkoj t’i jap skuadrës sa më shumë të jetë e mundur”./Supersport
Top Channel