Lecce është surpriza e madhe e këtij fillim-sezoni në Serinë A, teksa nuk ka humbur asnjë nga 5 ndeshjet e para dhe mban vendin e tretë me 11 pikë.
Shumë kanë filluar ta krahasojnë me Leicesterin, që fitoi në mënyrë surprizë titullin kampion në Angli, në 2016-ën, megjithatë nuk mendon kështu tekniku i puljezëve, Roberto D’Aversa.
“Krahasimi me Leicesterin nuk mund të ekzistojë, pasi kemi bërë vetëm një fillim të mirë të sezonit. Drejtori Sportiv, Corvino më këshilloi të vendos renditjen përmbys, që lojtarët të shohin se jemi të tretët nga fundi, [pasi vetëm kështu mund të qëndrojmë me këmbë në tokë”, u shpreh D’Aversa.
Sfida e radhës e puljezëve do të jetë ajo ndaj Juventusit të martën në mbrëmje, teksa tekniku D’Aversa i trembet një reagimi të zemëruar të bardhezinjve, që vijnë pas një humbjeje me shumë gabime ndaj Sassuolos.
“I trembem më shumë faktit që Juventusi do të jetë i acaruar për atë humbje ndaj Sassuolos, ndaj duhet të jemi shumë të kujdesshëm. Dihen vlerat e kundërshtarit dhe na pret një sfidë e vështirë, për të cilën jemi përgatitur të përfaqësohemi denjësisht”, tha trajneri./Supersport
Top Channel