Gjendet i vdekur edhe një tjetër prej sulmuesve në afërsi të Manastirit, duke çuar në katër numrin e terroristëve serb të eliminuar për vrasjen e efektivit të Kosovës.
“Ju njoftoj se është gjetur edhe një trup i pajetë sot, rreth 1.5 kilometra larg vendit të incidentit“- thuhet në njoftimin e Prokurorisë Speciale.
Zhvillimet më të fundit vijnë nga operacioni i Policisë së Kosovës në manastirin e Banjskë, pas sulmeve të grupeve kriminale në veri të cilat i morën jetën efektivit Afrim Bunjaku, ndërsa një tjetër polic mbeti i lënduar.
Pas aktit terrorist, rreth 30 persona të armatosur u fshehën në manastir. Policia e Kosovës ftoi personat e armatosur të dorëzohen, por ata vazhduan me sulme ndaj Policisë.
Më herët, Policia njoftoi se janë vrarë tre sulmues, si dhe ka arritur të arrestojë gjashtë të tjerë të cilët dyshohen se janë përfshirë me sulmin terrorist. Lidhur me sulmet terroriste ndaj Policisë së Kosovës ka pasur reagime të shumta nga ndërkombëtarët.
Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuҫiç konfirmoi në një konferencë për media mbrëmjen e së dielës se grupi i armatosur që sulmoi policinë e Kosovës përbëhej nga serbë të rebeluar nga veriu i Kosovës, duke theksuar se rasti ishte i pajustifikueshëm. Ndërkaq, Albin Kurti e cilësoi sulmin e armatosur “formacion profesionist me mbështetjen politike, financiare dhe logjistike të zyrtarëve në Beograd”, që sulmon Kosovën.
Top Channel