​Sveçla: Kemi gjetur dokumente të Radojçiçit që e implikojnë atë në sulmin terrorist në Banjskë

25/09/2023 16:40

Ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla ka kërkuar nga Serbia që të dorëzojë në Kosovë gjashtë terroristët e plagosur që po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit dhe cilindo pjesëtarë tjetër që ka arritur të largohet nga Manastiri i Banjskës, ku ndodhi vrasja e rreshterit policor, Afrim Bunjaku dhe sulmi ndaj Policisë së Kosovës.

Në konferencën e jashtëzakonshme për medie, ku u prezantua arsenali i armëve, uniformave dhe pajisjeve logjistike të konfiskuara nga Policia e Kosovës në Banjska të Zveçanit, Sveçla tha se janë gjetur edhe dokumente të Milan Radojçiçit, i cili është në listën e zezë të ShBA-së dhe i dyshuar për shumë aktivitete të tjera kriminale në Kosovë.

“Në shkëmbimin e zjarreve mes grupeve të armatosura dhe policisë sonë kanë mbetur së paku tre të vrarë nga (terroristët), të gjithë me uniforma dhe pajisje ushtarake, ndërsa janë arrestuar dy të tjerë, po ashtu të uniformuar, ndërkaq katër persona kanë qenë në rolin e tyre mbështetës në këtë aktivitet. Njëri nga të arrestuarit ka qenë i plagosur, të cilit i është dhënë ndihma e parë nga zyrtarët policorë në teren dhe pastaj edhe në spitalin e Mitrovicës dhe QKUK. Vlen të theksohet se asnjë person civil nuk është lënduar nga ky aksion. Sipas informatave të deritanishme, gjashtë terroristë të plagosur po trajtohen në spitalin e Novi Pazarit dhe kërkojmë nga Serbia që ata t’iu dorëzojë menjëherë autoriteteve në Kosovë që t’i përgjigjen drejtësisë për aktet e tyre terroriste. Po ashtu çfarëdo pjesëtari i këtij grupi i cili ka arritur të ikë në Serbi kërkojmë nga Serbia që të dorëzojë”, tha ai.

Sveçla theksoi se hartat dhe planet që kanë gjetur tregojnë se sulmi i djeshëm ka qenë i planifikuar gjatë për destabilizimin e Kosovës, mirëpo që i njëjti ka dështuar.

“Në objektet brenda dhe vetura janë gjetur harta dhe plane të cilat tregojnë për organizimin e gjatë të mirë menduar dhe bashkërenduar. Këto harta dhe dokumente janë dëshmi se këtu nuk kemi të bëjmë thjeshtë me grupe lokale por organizim terrorist që është udhëhequr dhe organizuar nga Beogradi. Edhe nga ekspertë vendor dhe të huaj se për këtë sasi armatimi, këtë organizim dhe këto përgatitje duhen së paku disa muaj. Pra nuk ka asgjë të bëjë me një organizim të shpejtë….Nga kjo sasi jashtëzakonisht e madhe e armatimit lehtësisht kuptohet se ka pas një plan të përfshirjes së qindra personave për destabilizimin e vendit tonë. Në armatimin që do të shihni ka armë ushtarake edhe të vitit 2021 që janë furnizim nga ushtria e Serbisë. Çdo ditë po konfirmohet ajo çka kemi thënë në vazhdimësi se Serbia po shfrytëzon armët dhe kriminelët e saj që të shkaktojë dhimbje për qytetarët dhe familjarët tanë”, shtoi ai.

Sipas tij dokumentet e gjetura dëshmojnë përfshirjen e Radojçiç në këtë sulm terrorist ndaj Kosovës, ndërkaq kanë identifikuar edhe pesë zyrtarëve të tjerë të dy organizatave që janë shpallur terroriste në Kosovë, “Mbrojtja Civile” dhe “Brigadën e Veriut”.

“Në këto materiale kemi gjetur edhe dokumente të kriminelit i cili po ashtu është në listën e zezë të ShBA-së, Milan Radonjçiq, dokumente këto që dëshmojnë lidhjen dhe pjesëmarrjen e tij në këtë aksion. Kjo është lista e armëve apo lejeve zyrtare të institucioneve të Serbisë dhënë Milan Radonjiçiq, ku është lista me armët të cilët ai posedon. Janë gjetur në veturën e parë në radhë atje dhe patjetër se dokumenti origjinal është në dorën e forenzikës. Ai është nënkryetar i Listës Serbe dhe e dina se ata janë të bashkërenduar ngushtë me Aleksandër Vuçiq dhe nuk ndërmerr asnjë hap pa koordinimin e tij. Pra harta e këtij plani është më e qartë se kurrë. Edhe disa nga pjesëtarët e këtij grupi terrorist që janë identifikuar janë në listat e pjesëtarëve të dy organizatave të shpallura terroriste nga Qeveria e Kosovës”, tha ai.

Në anën tjetër, drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha tha se operacioni i djeshëm i Policisë së Kosovës ka qenë më i madhi dhe më i suksesshmi që nga paslufta.

Ai tregoi në detaje sasinë e madhe të armatimit që kanë gjetur në dhe rreth Manastirit të Banjskës, përfshirë edhe dokumente të aplikimit për armë të Milan Radonjçiç.

“Personat të tjerë të dyshuar që në bazë të pamjeve të siguruara mund të ishin rreth tridhjetë persona kanë arritur të largoheshin në këmbë nga hapësirat brenda dhe përreth Manastirit të Banjskës duke lënë prapa automjetet e tyre që gjatë ekzaminimit të vendit të ngjarjes rezulton të jenë 24 automjete dhe një mjet i blinduar si dhe dy motorë me katër rrota. Në brendi të automjeteve gjendej një sasi e madhe e armatimit të kalibrave të ndryshëm, raketa hedhës si dhe dhjetëra uniforma, të cilat dyshohet që personat e armatosur i kishin zhveshur me qëllim që të infiltrohen më lehtë në mesin e civilëve. Po ashtu brenda ambienteve të manastirit janë gjendur disa armë automatike dhe raketahedhës që dyshohet se janë përdorur nga personat e armatosur me qëllim të sulmeve terroriste ndaj Policisë së Kosovës. Nga kontrolli që iu është bërë disa veturave është konstatuar se edhe përkundër faktit që automjetet nuk kishin targa, megjithatë në disa automjete vëreheshin tiketa të regjistrimit që ishin regjistrime të Serbisë. Një nga automjetet mercedes G-class është gjetur një dokument i aplikimit të lejes së armës të Milan Radonjqiq, nënkryetar i Listës Serbe, i dyshuar për përfshirje në shumë raste kriminale në Kosovë. Dokumenti është i lëshuar nga autoritet serbe duke ngritur dyshimin se në personat e armatosur ka qenë edhe vet ai” theksoi Hoxha.

Derisa konfirmoi se operacioni policor po vazhdon ende, ku tha se mund të gjenden edhe trupa të tjerë të terroristëve.

“Aktualisht policia e Kosovës ka tri trupa të pajetë në posedim të cilat i përkasin grupit terrorist. Pas bastisjeve që janë bërë sot është arrit të lokalizohet edhe një trup i cili ka mbetur i vrarë gjatë luftimeve të djeshme. Mund të ketë trupa të tjerë që kanë arritur mu largu nga vendi i ngjarjes”, shtoi ai.

Në orët e para të mëngjesit të ditës së diel është vrarë rreshteri i Policisë së Kosovës, Afrim Bunjaku, ndërsa janë plagosur edhe policë të tjerë. Ngjarja e rëndë ka ndodhur në fshatin Banjskë të Zveçanit ku terroristë serbë kanë sulmuar patrullën policore.

Sipas informacioneve zyrtare, tre sulmues kanë mbetur të vrarë ndërsa janë arrestuar gjashtë persona.

Top Channel