“Do dukej më bukur ditën e dasmës”, 21-vjeçarja italiane vdes pas operacionit në gjoks

24/09/2023 21:00

Një 21-vjeçare italiane ka humbur jetën pas një ndërhyrje kirurgjikale në gjoks.

Alessia Neboso vdiq në moshën 21-vjeçare, një javë pas operacionit që kishte zgjedhur të bënte për të rritur volumin e gjoksit, thonë mediat italiane.

Dukej se gjithçka kishte shkuar mirë, vajza ishte mirë dhe as kontrollet e para postoperative nuk kishin raportuar ndonjë problem. Gjithçka ishte normale, pra, të paktën deri të hënën e kaluar, kur Alessia filloi të kishte temperaturë të lartë dhe një ndjenjë lodhjeje dhe kollë. Ndërsa gjendja e saj po përkeqësohej nga ora në orë, familja e dërgoi me urgjencë në spital.

Mjekët konstatuan se vajzës së re nuk po i funksiononin më veshkat, qelizat e bardha të gjakut kishin arritur në 17 mijë  dhe mezi mbushej me frymë. Analiza e pamjes klinike nuk la shumë dyshime, mjekët konstatuan se vajza kishte marrë një infeksion të rëndë. Ndërsa arritën fillimisht ta “stabilizonin disi gjendjen e saj, vajza humbi jetën pak orë më vonë në repartin e terapisë intensive.

Familjarët deklaruan se vajza e kishte kryer operacionin me qëllim që të dukej më bukur në ditën më të rëndësishme të jetës së saj, ditën e dasmës.

Top Channel