Nga Aston Villa te Aston Villa.
Armando Broja rikthehet në fushë pas plot 287 ditësh, teksa trajneri Pochettino i besoi pak më shumë se 20 minuta bashkë me shtesën, në sfidën ndaj Aston Villës, i njëjti kundërshtar ndaj të cilit sulmuesi kuqezi u dëmtua në dhjetorin e kaluar.
Megjithatë rikthimi i sulmuesit shqiptar nuk rezultoi fatsjellës për Chelsea-n, që vijon të zhgënjejë në fushë dhe këtë pasdite u mposht me rezultatin minimal 0-1 në “Stamford Bridge”.
Vendosi sfidën një gol i Ollie Watkins në minutën e 73-të, falë edhe një gabimi të portierit Sanchez, teksa vlen të theksohet se blutë e Londrës luajtën me 10 lojtarë që prej minutës së 58’, kur Malo Gusto u ndëshkua me karton të kuq për një ndërhyrje të ashpër.
Nga ana tjetër, për Brojën vetëm disa minuta ambientim me fushën dhe një depërtim në zonë e goditje e fortë, por e bllokuar që në nisje nga mbrojtësit e Astin Villës. Sfida e radhës e Chelsea-t do të jetë sërish në “Stamford Bridge”, të mërkurën ndaj Brightonit të De Zerbit, që vijon të konfirmohet surpriza e Premier League.
Liverpooli konfirmohet skuadra anti-City në garën për titullin kampion, teksa mposhti me rezultatin 3-1 West Hamin dhe u ngjit në vendin e dytë me 16 pikë, dy më pak se ‘citizens’ që kryesojnë me pikë të plota.
Mohamed Salah i dha avantazhin skuadrës së Klopp në minutën e 16’, por londinezët mbyllën pjesën e parë në barazim, falë golit të Bowen. Gjithsesi ‘the reds’ dominuan dhe shënuan edhe dy herë të tjera në pjesën e dytë me anë të Nunez e Diogo Jotës, duke vulosur marrjen e tre pikëshit. /Supersport
Top Channel