“Tirana Youth Run”, Veliaj: Këtë vit që Tirana është Qyteti Evropian i Sportit, janë pesëfishuar regjistrimet në klasat sportive

23/09/2023 15:53

U organizua sot “Tirana Youth Run”, gara më e madhe e atletikës e zhvilluar për moshat nga 8 deri 18 vjeç.

Në aktivitetin që u mbajt në pistën e re të Atletikës te Liqeni Artificial, morën pjesë 400 atletë dhe 12 ekipe nga i gjithë vendi.

“Kampionia jonë e Evropës [Luiza Gega] nuk ka pasur një pistë të tillë, madje i duhej të shkonte në Elbasan, disa herë në Kenia, në Bullgari, disa herë është stërvitur jashtë, ashtu si Izmiri, sepse nuk i kemi pasur këto mundësi. Kjo do të thotë se mund të bëhesh kampion, mund të jesh i shpejtë, apo e shpejtë, mund të jesh më i miri apo më e mira, pavarësisht kushteve, ama kur i kemi edhe kushtet, është pak më e lehtë. Unë besoj se nuk ka nevojë të bëjmë ato sakrifica që Luiza, Izmiri, Taulanti e shumë të tjerë i kanë bërë, duke shkuar kilometra të tërë. Sot i kemi mundësitë, që ashtu siç kemi nisur në Tiranë, ndoshta edhe me bashkitë e tjera, mund të vijojmë me pista të tilla” .

Kryebashkiaku Erion Veliaj theksoi faktin se nga këto investime po nxiten edhe shumë prindër të regjistrojnë fëmijët në sport, e jo vetëm në futboll.

“Ne sapo u kthyem nga Ohajo. Sigurisht, në Amerikë ka shumë më shumë impiante dhe shumë më shumë komplekse e Akademi, por të gjithë thonë se atletët shqiptarë i kanë të gjitha parametrat optimalë. Ne nuk jemi gjenetikisht inferiorë ndaj askujt tjetër. Të gjithë betejën e kemi tek mendja jonë, zemra jonë, dhe nëse fitojmë betejën me mentalitetin, do e kthejmë të gjithë këtë energji sportive në një mundësi, si këta prindërit e mrekullueshëm këtu, që i kanë regjistruar fëmijët në shoqatat sportive. Në këtë vit që Tirana është Qyteti Evropian i Sportit janë pesëfishuar regjistrimet në klasat sportive dhe jo vetëm në futboll, që ka qenë le të themi sporti klasik, por sidomos në atletikë dhe në shumë sporte të tjera” .

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA