Standard & Poor’s ndryshon qëndrim për Shqipërinë. Agjencia e njohur ndërkombëtare e vlerësimit e ka rishikuar në rritje perspektivën e saj për Shqipërinë, duke e klasifikuar nga “e qëndrueshme”, në “pozitive”.

Në të njëjtën kohë, u rikonfirmua vlerësimi i vendit në “B+”. Përmes kësaj lëvizjeje, agjencia dëshmoi se konsideron që parametrat fiskale të vendit do të vijojnë të përmirësohen përtej pritshmërive të saj, nëpërmjet përpjekjeve të qeverisë për të konsoliduar financat publike.

Pavarësisht një ngadalësimi të partnerit kryesor tregtar të vendit, BE-së, S&P parashikon që parametrat e pozicionit të jashtëm të Shqipërisë mund të përmirësohen më shumë se ç’pritej, ndërsa ekonomia globale rimëkëmbet dhe sektori shqiptar i turizmit vazhdon të zgjerohet.

Pas një lëvizjeje të moderuar për këtë vit në 3%, kryesisht për shkak të kërkesës së huaj më të ulët nga Evropa, rritja pritet të marrë hov sërish pas 2023, falë lehtësimit të kushteve financiare dhe rritjen e aktivitetit ekonomik global, thotë agjencia që kujton sesi Shqipëria u përball vitet e fundit me një sërë goditjesh, përfshirë këtu tërmetin e 2019-tës.

Pavarësisht kësaj, pohon ajo, qeveria ka bërë përpjekje të forta për të konsoliduar financat publike. Si rezultat, agjencia pret që defiçiti buxhetor të konvergojë në rreth 2% të PBB deri në vitin 2026 dhe borxhi publik të reduktohet në 58.3% në 2026 nga 64.5% që rezultoi në 2022.

S&P megjithatë nënvizon se konsolidimi fiskal do të varet edhe nga rimëkëmbja e qëndrueshme e rritjes ekonomike dhe vijimësia e reformave strukturore.

Ajo vëren se inflacioni ka rënë, duke arritur në 4% në gusht nga 7.2% që rezultonte në janar, dhe parashikon që ai të jetë mesatarisht 4.7% për vitin 2023, pastaj do të bjerë gradualisht në nivelin e targetuar prej 3%, në sajë edhe të forcimit të lekut.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA