Paketa e sigurisë në shkolla e prezantuar në fillim të këtij muaji është një risi, e cila synon të garantojë sigurinë e nxënësve dhe parandalimin e krimit jo vetëm brenda territorit të shkollës, por dhe jashtë saj.

Këtë vit akademik paketa e sigurisë parashikon rritjen e sigurisë së nxënësve si në shkollë edhe në ambientet rreth saj dhe në akset rrugore që të çojnë drejt institucionit.

Të gjithë, qofshin individë apo biznes që përfshihen në veprimtari penale në perimetrin e sigurisë në shkolla, do të përballen me të gjithë forcën e ligjit, ka paralajmëruar më herët Ministri i Brendshëm.

Për këtë arsye po punohet edhe për disa ndryshime në Kodin Penal, që për disa vepra të ketë ashpërsim të masës.

Paketa parashikon gjithashtu që për sigurinë rrugore bashkitë të marrin masa për sinjalistikën rrugore brenda perimetrit të sigurisë. Mjeteve për transportin e nxënësve, u është kërkuar të jenë të mirë-identifikuara.

Gjithashtu për sigurinë ushqimore, është kërkuar që institucionet përgjegjëse të shtojnë kontrolle në gjithë vendin.

Të gjitha këto, janë pika të rëndësishme të asaj që qeveria i sheh si efikase në garantimin e sigurisë, por dhe parandalimin e kriminalitetit në shkolla.

Por a ndajnë të njëjtin mendim dhe besim qytetarët. Top Channel hapi një sondazh në website me pyetjen:

A mendoni se paketa e sigurisë në shkolla do të jetë efikase në garantimin e sigurisë dhe parandalimin e kriminalitetit?

60.95%  e qytetarëve janë përgjigjur “Jo”, duke shprehur mosbesim pavarësisht masave të marra nga policia e shtetit.

Ndërkohë 39.05%  e të anketuarve, janë besimplotë që aplikimi i paketës së sigurisë në terren do të japë rezultate e veta. Nxënësit do të jenë më të siguritë dhe krimi mund të parandalohet.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA