Ernset Muçi ishte heroi i Legias së Varshavës mbrëmjen e djeshme, pasi me dy golat e tij i dha fitoren 3-2 skuadrës polake përballë skuadrës së Premier League të Aston Villës.
Një paraqitje perfekte kjo e sulmuesit kuqezi i cili ka filluar një sezon mjaft të mirë, pas problemeve që pati vitin e shkuar me trajnerin serb, ku aktivizimet ishin sporadike.
Në 14 ndeshjet e aktivizuara në këtë edicion të ri, në kampionat, kupë dhe kupat e Evropës, sulmuesi shqiptarë ka mundur të shënojë 7 gola. Një zgjedhje e mirë kjo me sa duket e skuadrës polake të Legias për ta mbajtur në merkaton e kësaj vere, ku Muci ishte shumë pranë kalimit në kampionatin spanjoll, ku e priste skuadra e Celta Vigos.
Vetëm dy vite më parë ai ishte pjesë e skuadrës së Tiranës në kampionatin shqiptarë dhe u transferua tek Legia e Varshavës për 500 mijë euro, një shifër relativisht e madhe për nivelin e futbollit shqiptarë, por jo për talentin dhe pritshmëritë që kanë për 22-vjeçarin.
Sot sipas vlerësimit të transfermarket futbollisti kuqezi ka një vlerë prej 2.5 milion euro, ndërkohë që oferta e Celta Vigos ishte edhe më e lartë se kaq, por gjithsesi, janë paraqitjet e tij dhe golat që përkthehen më pas në shifra.
Ndërkohë në dy ndeshjet e fundit ndaj Çekisë në Pragë dhe ndaj Polonisnë në Tiranë, Muçi nuk pati asnjë minut në dispozicion nga trajneri i kombëtares Sylvinho, i cili ishte mbrëmë në stadiumin e Leagias për të ndjekur ndeshjen e futbollistit të tij dhe më pas kanë darkuar së bashku. Sigurisht qëllimi është mbajtja e atmosferës pozitive brenda kombëtares, pavarësisht aktivizimit apo jo.
Ndërkohë që përpara darke, Ernesti, Sylvinho dhe shumë shqiptarë janë ndjerë krenarë, pasi tifozeria ndër më të mëdha dhe t[ zjarrta në Europë si ajo e Legias së Varshavës, kanë thurur elozhe Ernest Muçit duke i thërritur për disa minuta emrin në stadium, pas fitores së rëndësishme ndaj Aston Villa-s.
Top Channel