“Magjiku” Muçi, mes kandidatëve për më të mirin e javës në Europë

22/09/2023 12:09

Ernest Muçi përjetoi një të enjte të paharrueshme.

Sulmuesi i talentuar i kombëtares shqiptare, shënoi dy gola në suksesin 3-2 të Legias së Varshavës kundër Aston Villas në Conference League. 22-vjeçari mposhti dy herë kampionin e botës Emiliano Martinez, duke u dhuruar tifozëve polakë një mbrëmje magjike. Muçi u shpall lojtari më i mirë i ndeshjes, teksa në momentin e zëvendësimit shijoi një “standing ovation”.

Falë formës së mirë dhe ndeshjes fantastike kundër skuadrës së fortë angleze, Muçi është përzgjedhur si një nga katër kandidatët për t’u shpallur më i miri i javës së parë në Conference League.

Lojtari shqiptar garon me mbrojtësin Luca Ranieri, i cili shënoi dy golat e Fiorentinës në barazimin 2-2 në Belgjikë kundër Genkut.

Me Jakub Piotrowskin, mesfushorin polak të Ludogorets, i cili shënoi (2x) dhe dhuroi asist në triumfin 4-0 të ekipit bullgar me Spartak Trnava.

Kandidati tjetër është Zvonimir Kozulj, i cili u fut në fushë në pjesën e dytë për Zrinjskin. Skuadra boshnjake po humbiste 0-3 përballë AZ Alkmaar. Ndërkohë që 29-vjeçari regjistroi dy gola dhe një asist, duke ndihmuar kampionët e Bosnjës që kompletonin përmbysjen e çmendur 4-3./Supersport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA