Tatimet kanë publikuar udhëzimin se si do zbatohen taksat e reja mbi të ardhurat nga punësimi, ato personale apo nga dividentët dhe investimet.
Me miratimin e ligjit të ri, nga 1 Janari 2024, skemës së tatimit do t’i bashkohen profesionistët e lirë, të cilët për xhirot vjetore deri në 14 milion lekë do tatohen me 15%, ndërsa mbi këtë kufi me 23%.
Norma e tatimit do vendoset mbi të ardhurën që do mbetet pasi të zbriten shpenzimet e njohura nga ligji, ku ndër to përfshihen shpenzimet për arsimimin e fëmijëve ose në rastin e një familje, nëse ka fëmijë nën 18 vjeç. Këto shpenzime do i zbriten individit me të ardhurat më të larta në shtëpi.
Ndërkohë për profesionistët e lirë udhëzimi thotë se nëse 80% e shërbimeve të tyre janë nga një klient i vetëm apo 90 % të të ardhurave nga më pak se 3 klientë, do të përdoret norma tatimore e pagave që varion nga 13 – 23%.
Sa i përket të ardhurave nga investimi ato do të tatohen përkatësisht 8% të ardhurat nga dividentët/ndarjet e fitimit dhe 15% çdo zë tjetër i të ardhurave nga investimi.
Zbatimi i ligjit është i ndarë në dy faza, ku nga 1 janari i 2029-ës do të futen në skemë edhe edhe bizneset e vogla, që tani trajtohen me normë tatimore zero.
Individët do të kenë mundësi të plotësojnë deklaratën vjetore të pasurisë, ndërsa subjektet deklaratën e të ardhurave personale nga biznesi. Sa i përket pagave, në ligjin e ri u miratua edhe 0% tatim mbi pagat deri në 50 000 lekë. Ligji i ri njeh edhe zbritje më të mëdha nga pragu i taksimit.
(Shembull: Fitimi tatueshëm 20.000.000 lekë, tatimi që do të paguajë do të jetë: 14.000.000 x 15% + 6.000.000 x 23 % = 2.100.000 + 1.380.000 = 3.480.000 lekë. Pra, tatimi që do të paguajë tatimpaguesi, për një fitim të tatueshëm prej 20,000,000 lekësh do të jetë 3.480.000 lekë.)
22.Zbritjet nga baza tatimore
22.1 Tatimpaguesi i të ardhurave personale me të ardhura nga punësimi dhe nga biznesi, mund të zbresë nga baza tatimore respektive për periudhën tatimore: a) një shumë prej 600 000 lekësh, nëse të ardhurat vjetore janë deri 600 000 lekë, ose një shumë prej 50.000 lekësh në muaj, nëse të ardhurat mujore janë deri në 50.000 lekë; b) një shumë prej 420 000 lekësh, nëse të ardhurat vjetore janë mbi 600 000 lekë deri në 720 000 lekë, ose një shumë prej 35.000 lekësh në muaj, nëse të ardhurat mujore janë mbi 50.000 lekë deri në 60.000 lekë; c) një shumë prej 360 000 lekësh, nëse të ardhurat vjetore janë mbi 720 000 lekë, ose një shumë prej 30.000 lekësh në muaj nëse të ardhurat mujore janë mbi 60.000 lekë; ç) një shumë kompensimi për çdo fëmijë në ngarkim të tij më pak se 18 vjeç prej 48 000 lekësh në vit.
22.2 Kërkesën për zbritjet personale, tatimpaguesi i të ardhurave personale me të ardhura nga punësimi, mund ta kërkojë nëpërmjet deklaratës përkatëse, nga agjenti i tij tatimor i listëpagesës në bazë mujore. Zbritja personale mund të pretendohet vetëm një herë në një vit tatimor.
22.3 Tatimpaguesi i cili kërkon zbritjen personale apo pjesë të saj sipas shkronjave “a”, “b” dhe “c” të pikës 22.1, nuk mund ta kërkojë më shumë se një herë në një muaj. Agjenti tatimor i listëpagesës është i detyruar të marrë në konsideratë në baza mujore zbritjet dhe llogarit në listëpagesë tatimin mbi të ardhurat për të punësuarin që ka nënshkruar deklaratën mbi statusin personal me këtë agjent tatimor të listëpagesës. Punëmarrësi nuk mund të nënshkruajë deklaratën për statusin personal me më shumë se një agjent tatimor të listëpagesës për të njëjtën periudhë kalendarike mujore.
22.4 Kërkesa për zbritje nga baza tatimore në lidhje me kompensimin për fëmijën në ngarkim të tij bëhet vetëm një herë nga anëtari i familjes me të ardhura më të larta vjetore të tatueshme, nëpërmjet deklaratës vjetore të të ardhurave apo deklaratës së tatimit mbi të ardhurat personale nga biznesi.
Shembull
Individi “A” punon me kohë të plotë si financier në kompaninë “XX” dhe ka pagë bruto 70,000 lekë/muaj ose 840,000 lekë/vit. Ndërkohë, punon dhe në një zyrë kontabël me kohë të pjesshme me një pagë 40,000 lekë/muaj ose 480,000 lekë/vit.
Llogaritja e zbritjes nga baza tatimore: Individi “A” zgjedh të nënshkruajë Deklaratën e Statusit Personal me zyrën kontabël. Zyra kontabël mban tatimin mbi të ardhurat nga punësimi, si dhe është i detyruar të marrë në konsideratë në terma mujorë zbritjen nga baza tatimore. Konkretisht e ardhura tatimore e individit “A” nga zyra kontabël është 40,000 lekë/muaj. Ligji parashikon se për pagat deri në 50.000 lekë/muaj, aplikohet një zbritje deri në 50.000 lekë/muaj.
Në rastin konkret punëmarrësi ka një pagë prej 40,000 lekësh/muaj në zyrën kontabël, ku pasi i aplikojmë zbritjen tatimore, baza e tatueshme mbetet zero dhe në këtë rast punëmarrësi rezulton me detyrime 0 lekë ndaj tatimit mbi të ardhurat nga punësimi për të ardhurat mujore që merr në zyrën kontabël. Kompania “XX”, referuar paragrafit 1, të nenit 65 dhe paragrafit 1 të nenit 24 të ligjit aplikon një tatim progresiv 13% dhe 23% mbi pagën dhe nuk aplikon zbritje nga baza tatimore.
Tatimpaguesi i tatimit mbi të ardhurat personale me të ardhura vjetore të tatueshme nga punësimi, dhe/ose të ardhura vjetore të tatueshme nga biznesi i më pak se 1.200.000 lekë mund të zbresë përveç shumave individuale sipas paragrafit më sipër, shpenzimet korrente për arsimin e fëmijëve në ngarkim të tij, në vlerën maksimale 100,000 lekë; Kërkesa për zbritje nga baza tatimore në lidhje me shpenzimet për arsim bëhet nga anëtari i familjes me të ardhura më të larta vjetore të tatueshme, nëpërmjet deklaratës vjetore të të ardhurave.
Kërkesa për zbritje
23.1 Kompensimi për fëmijën në ngarkim të tij dhe shpenzimet për arsim kërkohen nga anëtari i familjes me të ardhura më të larta vjetore të tatueshme. Ai duhet të paraqesë dokumente justifikues, të tilla si: certifikatën e gjendjes familjare, kontratat me institucionet arsimore dhe dokumentet e pagesës për fëmijët apo edhe dokumentet për pagesat e kurseve të gjuhëve të huaja etj.
23.2 Tatimpaguesi i të ardhurave personale me të ardhura nga punësimi, nëpërmjet Deklaratës së Statusit Personal, mund të kërkojë zbritjet personale nga agjenti i tij tatimor të listëpagesës në bazë mujore, të shumës së përmendur në nenin 22 paragrafi 1/a, b, c. Zbritja personale mund të pretendohet vetëm një herë në një vit tatimor. Tatimpaguesi, i cili kërkon zbritjen personale apo pjesë të saj, nuk mund ta kërkojë më shumë se një herë në një muaj. Zbritjet e tjera përveç zbritjeve personale në përputhje me nenin 22, paragrafi 1/a, b, c, mund të kërkohen vetëm nëpërmjet deklaratës vjetore të të ardhurave.
Norma tatimore
24.1 Për të ardhurat nga punësimi, normat tatimore progresive që zbatohen janë 13% dhe 23%. Reduktimi i ngarkesës tatimore për të punësuarit me të ardhura të ulëta, nuk bëhet nëpërmjet aplikimit të tarifës 0% për një segment të caktuar page, por duke reduktuar bazën e tatimit (pagën bruto) me një shumë të caktuar të parashikuar në nenin 22 të ligjit.
Konkretisht, pasi aplikohen zbritjet tatimore, sipas nenit 22, për të ardhurat vjetore nga punësimi deri në 2,040,000 lekë (në terma mujorë deri në 170,000 lekë), aplikohet një normë tatimore prej 13%. Për pjesën e të ardhurat vjetore nga punësimi mbi 2,040,000 lekë (në terma mujorë mbi 170,000 lekë) aplikohet një normë tatimore prej 23%.
24.2 Për të ardhurat vjetore nga biznesi, për të cilat baza e tatimit është e ardhura neto e tatueshme, pra diferenca e të ardhurave minus shpenzimet e zbritshme, zbatohen normat progresive, si më poshtë: a) 15% për të ardhurat neto të tatueshme (fitimi i tatueshëm) deri në 14.000.000 lekë në një vit tatimor; b) 23% për çdo lekë shtesë të të ardhurave neto të tatueshme (fitimit të tatueshëm) mbi 14.000.000 lekë në vit.
24.3 Nëse një person fizik tregtar apo i vetëpunësuar, pasi zbret nga e ardhura bruto çdo shpenzim të zbritshëm dhe çdo zbritje të lejuar sipas nenit 22 të ligjit, deklaron fitimin e tatueshëm vjetor në masën 12.000.000 lekë, tatimi që do të paguajë do të jetë 12.000.000 x 15% = 1.800.000 lekë.
24.4 Nëse një person fizik tregtar apo i vetëpunësuar, pasi nga e ardhura bruto ka zbritur çdo shpenzim të zbritshëm dhe çdo zbritje të lejuar, sipas nenit 22 të ligjit, deklaron fitimin e tatueshëm 20.000.000 lekë, tatimi që do të paguajë do të jetë: 14.000.000 x 15% + 6.000.000 x 23 % = 2.100.000 + 1.380.000 = 3.480.000 lekë. Pra, tatimi që do të paguajë tatimpaguesi, për një fitim të tatueshëm prej 20,000,000 lekësh do të jetë 3.480.000 lekë.
24.5 Të ardhurat nga investimi tatohen përkatësisht 8% të ardhurat nga dividentët/ndarjet e fitimit dhe 15% çdo zë tjetër i të ardhurave nga investimi. Përveçse kur parashikohet ndryshe në ligj, asnjë kosto nuk zbritet kundrejt të ardhurave nga investimi.
24.6 Shembuj të llogaritjes së tatimit:
Individi “A” punon në një zyrë programimi dhe paga e saj bruto është 230,000 lekë/muaj ose 2,760,000 lekë/vit. Individi “B” (bashkëshorti i individit “A”) ka një biznes për tregtimin e pajisjeve hidrosanitare dhe ka të ardhura neto (fitim të tatueshëm) 3,250,000 lekë/vit. Ndërkohë individi “A” ka një depozitë me afat nga e cila merr interesa në shumën 20,000 lekë/vit, ndërsa individi “B” ka disa aksione në kompaninë “XX”, e cila për këtë vit ka paguar dividendë në vlerën 25,000 lekë/vit. Individët “A” dhe “B” kanë dhe tre fëmijë, përkatësisht 13, 15 dhe 19 vjeç.
Llogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga punësimi: Individi “A” ka të ardhura nga punësimi në shumën 230,000 lekë/muaj ose 2,760,000 lekë/vit, pra të ardhurat e saj e kalojnë shumën prej 60,000 lekësh në muaj dhe zbritja nga baza tatimore që individi “A” përfiton, referuar paragrafit 1 të nenit 22 të ligjit është 30,000 lekë/muaj. Gjithashtu individi “A” ka dy fëmijë nën moshën 18 vjeç, për të cilët përfitohet një kompensim nga baza tatimore prej 48,000 lekësh për fëmijë, pra 96,000 lekë në total megjithatë, duke qenë bashkëshorti ka të ardhura më të larta, do të jetë individi “B” ai që do ta kërkojë këtë kompensim nga baza tatimore, si dhe zbritjet e parashikuara në paragrafin 2 të nenit 22. Tatimi mbi të ardhurat nga punësimi që individi “A” do të paguajë do të jetë: Të ardhurat vjetore nga punësimi prej 2,760,000 lekësh/vit zvogëlohen me zbritjet e parashikuara sipas këtij ligji. 2,760,000 lekë/vit – 360,000 lekë/vit = 2,400,000 lekë/vit E ardhura vjetore, pasi aplikohen zbritjet dhe kompensimet tatohet: 2,040,000 lekë/vit * 13% + (2,400,000 lekë/vit – 2,040,000 lekë/vit) * 23% = 265,200 lekë/vit + 82,800 lekë/vit = 358,000 lekë në/vit tatimi që individi “A” paguan për të ardhurat nga punësimi.
Llogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga biznesi: Individi “B” ka të ardhura neto vjetore si i vetëpunësuar në shumën 3,250,000 lekë. Referuar paragrafit 1 të nenit 22, të ardhurat e tij janë mbi 600,000 lekë/vit, prandaj zbritja nga baza tatimore që ai përfiton është 360,000 lekë. Individi “B”, si tatimpaguesi me të ardhurat më të larta në familje do të përfitojë një kompensim nga baza tatimore prej 48,000 lekësh për çdo fëmijë në moshën nën 18 vjeç, pra 96,000 lekë në total për dy fëmijët që janë më pak se 18 vjeç. Ndërkohë, individi “B” nuk i përfiton zbritjet nga baza tatimore të parashikuara në paragrafin 2 të nenit 22, duke qenë se të ardhurat vjetore janë më të larta se 1,200,000 lekë. Të ardhurat neto vjetore nga biznesi zvogëlohen nga zbritjet tatimore dhe kompensimet e parashikuara sipas këtij ligji 3,250,000 lekë/vit – (360,000 lekë/vit + 96,000 lekë/vit) = 2,794,000 lekë/vit E ardhura neto vjetore (fitimi i tatueshëm), pasi aplikohen zbritjet dhe kompensimet, është më e vogël se 14,000,000 lekë/vit, dhe kjo e ardhur tatohet si më poshtë: 2,794,000 lekë/vit * 15% = 419,100 lekë/vit tatimi që individi “B” paguan për të ardhurat nga biznesi.
Llogaritja e tatimit mbi të ardhurat nga investimi: Të ardhurat nga depozita me afat e individit “A” dhe të ardhurat nga dividendët që individi “B” ka marrë nga investimi në aksione, janë të ardhura nga investimi. Tatimi mbi të ardhurat nga investimi, që do të paguajë individi “A”, për interesat e përfituar nga depozita me afat do të jetë: 20,000 lekë/vit * 15% = 3,000 lekë Tatimi mbi të ardhurat nga investimi, që do të paguajë individi “B”, për dividendët e përfituar nga investimi në aksione do të jetë: 25,000 lekë/vit * 8% = 2,000 lekë.
Top Channel