UEFA “përkëdhel” Rumaninë/ Federata e Futbollit të Kosovës reagon ndaj dënimit për thirrjet raciste

20/09/2023 20:15

Ndeshja kualifikuese për Europianin 2024 mes Rumanisë dhe Kosovës, u ndërpre për disa minuta për shkak të banderolave politike të hapura në stadium dhe thirrjeve raciste nga tifozeria rumune.

“Kosova është Serbi” shkruhej në një banderolë gjigante pas porte dhe ndeshja u ndërpre deri në momentin kur ajo u hoq.

Për këtë ndeshje, UEFA hapi edhe një hetim dhe pritej që të jepej një dënim i rëndë për Federatën Rumune të Futbollit, megjithatë nuk ka ndodhur ashtu.

UEFA ka gjobitur e 52 mijë euro Federatën dhe ka urdhëruar që ndeshja e radhës kualifikuese ndaj Andorrës, të luhet pa tifozë, ose me tifozeri të përzgjedhur, pasi do të lejohen që në tribuna të kenë mundësi që të hyjnë fëmijë nën moshën 14-vjeç.

Ky vendim ka lënë të pakënaqur Federatën e Futbollit të Kosovës. Ajo nëpërmjet një komunikate për shtyp ka kërkuar që të rishikohet ky vendim.

“FFK, shpreh pakënaqësinë e saj në lidhje me vendimin e organeve disiplinore të UEFA-s për të dënuar Federatën e Futbollit të Rumanisë me 50 mijë euro dhe një ndeshje pa shikues. FFK-ja do të vazhdojë rrugën e saj ligjore dhe do të paraqesë ankesë në trupat përkatëse të UEFA-s, duke kërkuar që dënimi ndaj Federatës së Futbollit të Rumanisë të jetë sa më i lartë i mundshëm, jo vetëm në aspektin financiar, por edhe në forma të tjera, në mënyrë që të shërbejë si shembull se UEFA nuk do të tolerojë në asnjë mënyrë ofendime të tilla raciste ndaj një Federate anëtare të saj dhe ndaj një shteti të njohur ndërkombëtarisht”, shkruhet në ankimimin e federatës së futbollit të Kosovës.

 

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA