Milani nisi edicionin e ri në Champions League me një barazim pa gola ndaj Newcastle, teksa, më shumë se dy pikët e lëna, shqetëson edhe dëmtimi i dy titullarëve të formacionit të Stefano Piolit.
Fillimisht mesfushori anglez Ruben Loftus-Cheek dhe më pas portieri francez Mike Maignan kërkuan zëvendësim për probleme fizike, teksa padyshim gjendja e këtij të fundit është ajo që shqetëson më shumë.
Bëhet fjalë për një problem muskulor, teksa pritet që të mërkurën paradite të kryhen edhe ekzaminimet e specializuara për të përcaktuar shkallën e dëmtimit dhe kohën e rikuperimit, me Piolin që u shfaq i shqetësuar pas ndeshjes.
“Mike ndjeu një shqetësim në pjesën e pasme të kofshës dhe kërkoi zëvendësim. Ai thotë se është diçka e vogël, por jemi të shqetësuar deri në kryerjen e ekzaminimeve. Gjithsesi Sportiello hyri shumë mirë dhe gëzon besimin tonë”, tha Piolo.
Sa i përket Loftus-Cheek, bëhet fjalë më shumë për një tronditje, teksa që nesër anglezi do të provojë të stërvitet me skuadrën të paktën pjesërisht, për të qenë gati ëpr ndeshjen e fundjavës ndaj Veronës./ Super Sport
Top Channel