Shqipëria U-17 fitoi me rezultatin 2-0 ndeshjen e parë miqësore të muajit shtator kundër Maltës.
Në takimin e luajtur në ‘Shtëpinë e Futbollit’ pasditen e sotme, kuqezinjtë e drejtuar nga trajneri Ardi Behari bindën jo vetëm me rezultat e gola, por edhe me paraqitjen e tyre mjaft të mirë. Oresti Rifa e Matias Gici realizuan golat e fitores, ndërsa spikati pa diskutim edhe talenti Brayan Gjyla, i cili asistoi dy herë dhe tentoi disa herë portën kundërshtare.
Trajneri Behari hodhi në fushë këtë formacion: Etem Xhemali (GK), Davide Avdullari, Kris Gecaj, Renato Halili, Fabjano Nuhaj, Eraldo Karaj, Kleart Grazhdani, Oresti Rifa, Brayan Gjyla, Matias Gici, Tedi Malaj.
Kuqezinjtë zhvilluan një pjesë të parë dominuese, duke krijuar disa raste shënimi, teksa goli i parë erdhi shumë shpejt. Oresti Rifa kaloi në avantazh Kombëtaren U-17 që në minutën e pestë të takimit, pas asistit të dhënë nga Brayan Gjyla. Pak minuta më vonë, Tedi Malaj provon një ballore nga jashtë zone, por topi përfundon në duart e portierit kundërshtar. Edhe Gjyla provon portën malteze nga largësi, por topi përfundon jashtë zone.
Kris Gecaj kishte gjithashtu një mundësi mjaft të mirë për të dyfishuar rezultatin për kuqezinjtë, duke shmangur disa kundërshtarë në fushë, por gjuajtja e tij ndalet nga portieri i Maltës. Matias Gici realizoi edhe golin e dytë për Shqipërinë U-17, i cili merr bukur një top brenda zonës nga Brayan Gjyla, duke e çuar në fundin e rrjetës kundërshtare. Fraksioni i parë mbyllet me rezultatin e dyfishtë 2-0 për ekipin kombëtar U-17.
Pjesa e dytë nis sërish mirë për kuqezinjtë, të cilët janë sërish dukshëm më superiorë se maltezët. Në minutën e 50-të, Tedi Malaj fiton një faull shumë afër zonës kundërshtare. Goditja e tij mjaft potente ndalet nga muri maltez, teksa tenton edhe Gjyla, por topi përfundon mbi rrjetë. Kuqezinjtë krijojnë edhe disa raste të tjera gjatë 45 minutave të dyta, por nuk ia dalin të finalizojnë.
Kështu, miqësorja e parë e muajit shtator Shqipëri U-17 – Maltë U-17 mbyllet me fitoren 2-0 në favor të kuqezinjve të Ardi Beharit. Të mërkurën e 20 shtatorit, Shqipëria U-17 do të zhvillojë ndeshjen e dytë miqësore po ndaj Maltës, e programuar për këtë muaj./ Super Sport
Top Channel