Sevilla merr pikët e para, një belg e largon nga vendi i fundit

17/09/2023 21:21

Sevilla gjen pikët e para dhe fitoren e parë në sezonin 2023/2024 në La Liga.

Skuadra andaluziane ndodhej në krizë pas tri humbjeve, por sot ia doli të festonte falë triumfit 1-0 me Las Palmas.

Një sukses i vështirë për djemtë e Jose Luis Mendilibar, të cilët ia dolën të thyenin mbrojtjen mike në minutën e 71’. Ndërkohë që tri minuta më parë VAR-i anuloi golin e marokenit En Nesyri.

Belgu Dodi Lukebakio, i cili erdhi nga stoli, shënoi golin e fitores për Sevillan, që për herë të fundit në “Sanchez Pizjuan” kishte marrë pikët maksimale në 4 maj përballë Espanyolit (3-2).

Vendasit ishin me fat në minutat e fundit, me Las Palmas që humbi dy mundësi të pastra. Sevilla rikthehet në fushë në mesjavë. Kundër Lensit në shtëpi, për duelin e parë të fazës së grupeve në Champions League./ Super Sport

Top Channel