Gërmimet arkeologjike të përqendruara përreth zonës së agorasë në Antigone po vijojnë prej disa javësh .
Misioni shqiptaro- italian synon të sqarojë dy momente themelore nga pikëpamja kronologjike, banesat dhe stili i jetës gjatë periudhës helenistike dhe lidhja e kësaj periudhe me ndërtimet dhe jetën e mëvonshme në Antigone deri në periudhën bizantine.
Ekspedita e kaluar sugjeroi se agoraja ishte e zhveshur nga ndërtimet masive publike. Gërmimet konfirmuan funksionin e saj të përqendruar vetëm tek shkëmbimet tregtare pasi qyteti nuk lejonte kalimin e mallrave dhe produkteve të përshkonin rrugët kryesore. Këtë vit hulumtimet gjeo-fizike e rikthyen në vëmendje tezën e mundësisë së pranisë së strukturave të mëdha nën agora dhe për këtë ka filluar një sondazh i ri.
Profesor Perna nga universiteti i Macheratës flet për qëllimet komplekse të kësaj ekspedite që nga topografia e qytetit antik, raporti i ndërtimeve me territorin dhe fazat e ndryshme të jetës që ishin pak të njohura deri tani.
“ Është një projekt i artikuluar sepse është i organizuar në disa nivele. Ky është aspekti i veçantë i këtij projekti. Një pjesë e misionit po punon mbi topografinë e qytetit dhe kemi tashmë rezultate shumë të mira. Planimetria e Antigonesë është e ndryshme nga sa e imagjinonim. Këtë vit po kryejmë sondazhe në një shkallë më të gjerë. Në themel duam të kuptojmë sesi jetonte qyteti dhe si e përdorte territorin”, tha Roberto Perna, bashkëdrejtues i misionit.
Studentë të universiteteve të Tiranës dhe Macheratës janë duke u praktikuar në gërmime tek një kompleks banesash i shekullit lll pes duke u përpjekur të kuptojnë si funksiononin strukturat. Natalia që vjen për herë të parë në ekspeditë realizoi edhe gjetjen e saj të parë një monedhë të Koinonin të Epirit ndërsa Samueli një tjetër student italian po gërmon prej ditësh rrëzë një muri për të mbërritur në dyshemenë e objektit e për të kuptuar më mirë funksionin e këtij blloku ndërtimesh.
“Është viti im i tretë këtu dhe për mua është vërtetë e rëndësishme të kuptoj sesi ky kompleks banesash funksiononte. Kemi gjetur shumë objekte nën çatitë e shembura të këtij blloku banesash dhe çdo ditë zbulojmë dhe mësojmë gjëra të reja”, tha studenti Samuel.
Gërmimet deri tani kanë siguruar gjetje me vlerë të periudhës helenistike ndërsa misioni do të kryejë sondazhe të mëtejshme në funksion të kërkimit të tempujve, sheshit qendror dhe teatrit.
Top Channel