Rikthehet Roma. Skuadra e Jose Mourinhos shkatërroi 7-0 Empolin në “Olimpico”, në një ndeshje perfekte, ku nuk munguan eurogolat.
Ky ishte suksesi më i thellë i verdhekuqve në drejtimin e “Special One”. Minuta e parë, sulmi i parë i vendasve dhe penallti. E shkaktuar nga prekja me dorë e mbrojtësit polak Sebastian Walukiewicz.
Ekzekutimin e mori përsipër Paulo Dybala, i cili ia doli të shënonte përballë Etrit Berishës. Vendasit në avantazh, dhe goli i parë sezonal në Serie A për argjentinasin, i cili nuk u ndal me kaq.
Goli çliroi Romën, që gjeti edhe golin e dytë në minutën e tetë. Me anë të Renato Sanches, i cili shijoi golin e parë në Serie A.
Ndërkohë, Ardian Ismajli (u fut në pjesën e dytë) dhe Stiven Shpendi ishin në stol në këtë ndeshje për Empolin. Skuadër që e ka filluar shumë keq sezonin aktual në kampionatin italian.
Roma iu afrua golit të tretë në minutën e ’19. Leandro Paredes provoi eurogolin nga goditja e këndit, por traversa shpëtoi Berishën.
Ndërkohë që Roma kaloi në fundin e pjesës së parë në avantazh të trefishtë falë autogolit të Alberto Grassit.
Kaq për 45 minutat e para, teksa Dybala shënoi të dytin personal dhe të katërtin për skuadrën e Jose Mourinhos në minutën e 55′. Falë një finalizimi plot klas.
Traversa i mohon tripletën 29-vjeçarit, teksa Empoli goditi shtyllën me anë të Baldanzit. Goli i pestë për Romën erdhi në minutën e 80′.
Në fund pati festë edhe për mbrojtësin Gianluca Mancini, i cili kompletoi fitoren 7-0 të Romës. Ndërkohë që Empoli përjetoi një mbrëmje “horror” në kryeqytetin italian./ Super Sport
Top Channel