Transmetimet pirate të Premier Ligës në Kosovë, Digitalb kërkon ndërhyrjen e entit rregullator të medias audiovizuale

15/09/2023 12:43

Komisioni i Pavarur i Mediave ka marrë një ankesë nga subjekti “The Football Assocation Premier League Limited”, lidhur me piratimin e të drejtave të transmetimit të këtij eventi sportiv në Kosovë nga operatorët e shërbimit audiovizual “ArtMotion”, “IPKO Telecommunications” dhe “KUJTESA”.

Zëvendësuesi i shefit ekzekutiv të KPM-së, Faruk Rexhaj, ka konfirmuar se janë pranuar edhe disa ankesa për transmetimin e Premier Ligës në territorin e Kosovës.

Ankesa ka ardhur fillimisht nga Premier Liga e më pas edhe nga DigitAlb, që është subjekti i vetëm që gëzon të drejtën ekskluzive të transmetimit të “Premier League” me koment shqip në territorin e Shqipërisë dhe të Kosovës.

“Dikush nga stafi i zyrës së monitorimit do të dalë dhe do të monitorojë nga afër të gjithë kanalet sportive, a po transmetohen ndeshjet e Premier Ligës, apo jo dhe të shohim mandej sa i janë përmbajtur ankesës të cilën e kanë pranuar”, tha Rexhaj.

Të gjithë operatorët e medias audiovizuale në Kosovë që transmetojnë në gjuhën serbe ndeshjet e Premier Ligës nuk kanë të drejtë transmetimi për këtë event sportiv, pasi nuk kanë asnjë marrëveshje tregtare për blerjen e këtyre të drejtave nga subjekti “The Football Assocation Premier League Limited”, apo nga operatori ArenaSport / Telekom Serbija.

Shoqëria “DigitAlb” sh.a. është operatori që gëzon të drejtat ekskluzive të transmetimit me koment në gjuhën shqipe dhe të distribucionit për territorin e Republikës së Shqipërisë dhe të Kosovës, të eventit sportiv të futbollit “Premier League”. Ky event transmetohet direkt nga kanalet televizive të platformës DigitAlb, konkretisht kanalet tematike sportive “SuperSport”, me koment në gjuhën shqipe.

Subjekti “The Football Assocation Premier League Limited” i ka kërkuar zyrtarisht direkt operatorëve të medias audiovizuale në Kosovë që të ndërpresin menjëherë transmetimin e paligjshëm të këtij eventi sportiv me koment në gjuhën serbe, por nga ana e tyre ka vijuar piratimi.

Në këto kushte, “The Football Assocation Premier League Limited” është detyruar t’i drejtohet Komisionit të Pavarur të Mediave (KPM), si enti i vetëm rregullator i medias audiovizuale në Kosovë, për të marrë të gjitha masat për të ndërprerë këtë pirateri audiovizuale.

Madje, në këtë nismë të tyre për të mbrojtur të drejtat e transmetimit të Premier League në territorin e Republikës së Kosovës, “The Football Assocation Premier League Limited” ka vënë në dijeni Kryetarin e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca dhe ministren e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë së Republikës së Kosovës, Rozeta Hajdari.

Transmetimet pirate të Premier Ligës në Kosovë me koment në gjuhën serbe dëmtojnë rëndë interesat e ligjshëm ekonomike dhe tregtare të DigitAlb, por edhe shkelin hapur pavarësinë e shtetit të Kosovës dhe u mohojnë shumicës dërrmuese të qytetarëve të Kosovës që të shikojnë dhe të dëgjojnë me koment shqip ndeshjet e Premier Ligës.

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA