Merkato e futbollistëve tashmë është mbyllur dhe përveç lëvizjeve të bujshme e me shumë para në lojë, ka edhe nga ato të çuditshmet.
Kështu, ka ndodhur me klubin e divizionit të tretë në Çeki, Usti Nad Labem që në këtë merkato firmosi me Martin Podhajsky, një 22-vjeçar i cili nuk ia ka haberin futbollit. Studenti në fjalë nuk është marrë kurrë më parë me futboll apo me ndonjë sport tjetër, por ishte dëshira e babait të tij që ky i fundit të ishte pjesë e një skuadre.
Në këtë formë, për ta regjistruar në ekip, babai i 22-vjeçarit pagoi plot 200.000 euro teksa palët kanë edhe një tjetër marrëveshje. Podhajsky duhet të luajë me patjetër të paktën 10 minuta në çdo ndeshje ndërsa do të zëvendësojë në sulm kapitenin e ekipit.
Sakaq, presidenti i klubit çek, Premysl Kuban u shpreh se nuk mund ta refuzonte një ofertë të tillë dhe se për aq para sa arkëtoi do të lejonte këdo të luante në ekip.
“E vërteta është se ai nuk ka luajtur kurrë futboll. Ka luajtur vetëm FIFA, por 200.000 euro nuk është një shumë që të ofrohet në përditshmëri. Për atë shumë parash unë do të lejoja këdo të luante futboll në ekipin tim. Podhajsky është një student i drejtësisë, por shprehu dëshirën për të luajtur futboll dhe babai i tij bëri lëvizjet e duhura”, u shpreh presidenti i klubit çek.
Top Channel