Everton ndryshon pronësi, “777 Partners” ka nënshkruar një marrëveshje me Farhad Moshirin për të blerë të gjitha aksionet e tij, që përfaqëson 94.1% të aksioneve të klubit.
Moshiri, një aksioner që nga viti 2016 dhe aksioner kryesor që nga viti 2018, deklaroi: “Natyra e pronësisë dhe mbajtjes së klubeve të futbollit ka ndryshuar pa masë që kur investova për herë të parë te Everton mbi shtatë vjet më parë. Klubet më të mëdha tani janë përgjithësisht në pronësi të fondeve të investimeve, me burime adekuate. Unë kam qenë i hapur për të bërë investime të reja dhe financim të plotë për stadiumin tonë të ri në Bramley-Moore Dock në brigjet e Mersey, të cilin unë e kam financuar kryesisht deri më sot. Kam folur me disa partnerë dhe kam parë disa mundësi. Megjithatë, përmes diskutimeve të mia të gjata me ‘777 Partners’, besoj se ata janë më të përshtatshmit për të çuar përpara klubin tonë të madh, me të gjitha avantazhet e modelit të tyre të investimit.”
“777 Partners” krijuan Grupin e Futbollit 777, i cili aktualisht përfshin Genoa në Itali, Vasco da Gama në Brazil, Hertha Berlin në Gjermani, Standard Liege në Belgjikë, Red Star në Francë, Sevilla në Spanjë dhe Melbourne Victory në Australi.
Josh Wander, themeluesi dhe partneri menaxhues i “777 Partners”, deklaroi pas blerjes së Everton se e konsiderojnë si privilegj marrjen e klubit anglez.
“Ne jemi vërtet të nderuar nga mundësia për t’iu bashkuar familjes Everton si pronarë të klubit dhe e konsiderojmë një privilegj të jemi në gjendje të ndërtojmë trashëgiminë dhe vlerat e tij. Qëllimi ynë kryesor është të punojmë me tifozët dhe palët e interesuara për të zhvilluar infrastrukturën sportive dhe tregtare për ekipet e meshkujve dhe femrave, e cila do të japë rezultate për brezat e ardhshëm të mbështetësve të Evertonit. Në këtë kontekst, ne jemi të përkushtuar që të bashkëpunojmë me komunitetin lokal në plan afatgjatë, duke punuar në projekte të rëndësishme”-u shpreh Wander.
Top Channel