Zjarri në pallatin 10-katësh në Tiranë, drejtori i zjarrfikëses: Nuk ka të lënduar, rast i rrallë sesi u përhapën flakët

14/09/2023 17:16

Drejtori i zjarrfikëses Tiranë, Shkëlqim Goxhaj ka dalë në një deklaratë për mediat ku ka informuar lidhur me zjarrin në pallatin 10-katësh në kryeqytet në zonën e ish-parkut të autobusëve.

Goxhaj sqaroi se në këto momente zjarri është nën kontroll dhe fatmirësisht nuk ka banorë të lënduar. Ai tha se ende nuk mund të evidentohet shkaku i rënies së zjarrit apo ku kanë nisur flakët fillimisht. Kreu i zjarrfikëses së kryeqytetit shtoi se zjarri u përhap në përmasa të mëdha nga fasada e ndërtesës dhe ky ishte një rast i rrallë.

Në këto momente nuk mund të flasim për shkakun e zjarrit dhe rezultatet përfundimtare. Do jemi të gjithë këtu deri në përcaktimin e shkakut të zjarrit dhe deri sa të sigurohemi që nuk kemi humbje jete qytetarësh. Zjarri ka qenë i shtrirë në pjesën e jashtme të objektit, dyert janë të blinduara. Të dëmtuara janë vetëm banesat që janë hapur dritaret.

Është dëmtuar fasada e objektit. Zjarret në pallate në Tiranë ndodhin në një banesë dhe në 0.5% të rasteve kur zjarri ka kaluar nga një banesë në tjetër. Ky rast ishte i rrallë dhe ka bërë që këtu të mblidhen të gjithë punonjësit e zjarrfikësit, Tiranës, Vorës dhe Kamzës. Është dashur një kohë e gjatë për të vënë në kontroll. Fasada e objektit e ka përhapur zjarrin. Nuk kemi zjarrfikës të dëmtuar. Situata e zjarrit është nën kontroll. Zjarri ka qenë në katin e dytë të objektit dhe në pjesën e sipërme, por kjo mbetet për tu parë sesi është përhapur zjarri.”-deklaroi Goxhaj.

Zjarri që ka nisur rreth orës 14:20 në rrugën “Sali Butka”, dyshohet se ka rënë në ballkonin e një banese, por është përhapur me shpejtësi dhe ka përfshirë disa apartamente.

Top Channel