Akordi ishte arritur prej ditësh, ndërkohë që sot erdhi edhe zyrtarizimi.
Marco Verratti do të vijojë karrierën në Katar, tek Al-Arabi. Drejtuesit e klubit aziatik kanë paguar 45 mln euro për mesfushorin e kombëtares italiane.
30-vjeçari i jep fund në këtë mënyrë aventurës 11-vjeçare te PSG, skuadër me të cilën fitoi 9 tituj kampionë dhe 30 trofe në total. Me PSG-në, Verratti regjistroi mbi 400 ndeshje. Duke shënuar 11 gola dhe dhuruar 61 asiste.
Lojtari italian ka firmosur një kontratë 3-vjeçare, nga e cila do të përfitojë rreth 30 mln euro në sezon. Dyfishin e pagës që merrte te kampionët e Francës.
“Jam shumë krenar që kam veshur fanellën e PSG-së për më shumë se një dekadë, dhe që kam luajtur përkrah shumë futbollistëve të mëdhenj. Parisi, klubi dhe tifozët, do të kenë gjithmonë një vend të veçantë në zemrën time. Do të jem tifoz i PSG-së gjatë gjithë jetës sime”, u shpreh Verratti.
Mesfushori nuk bënte pjesë në planet e trajnerit Luis Enrique, kështu që vendosi të provonte një eksperiencë larg Europës. Në lidhje me largimin e tij foli edhe Nasser Al-Khelaifi, presidenti i PSG-së.
“Marco do të jetë gjithmonë i lidhur me PSG-në. Ai ka luajtur një rol të rëndësishëm në historinë tonë. Nuk e harroj kurrë mbërritjen e tij në vitin 2012. Ishte vetëm 19 vjeç.
Ka vendosur në çdo ndeshje zemrën në fushë. I urojmë suksese në këtë aventurë të re”, u shpreh kreu i klubit francez, i cili kishte një lidhje speciale me futbollistin nga Pescara.
HERE WE GO! 🔴⚪️#فيراتي_عرباوي #العربي pic.twitter.com/DkpwTV3xh3
— Al-Arabi Sports Club (@alarabi_club) September 13, 2023
Top Channel