Në një deklaratë të rrallë e të papritur, Vladimir Putin u shpreh se pushtimi i Hungarisë dhe Çekosllovakisë në periudhë sovjetike ishte një gabim.
Duke folur në një forum në lindje të Rusisë, shefi i Kremlinit nënvizoi se nuk është e drejtë asgjë në politikë të jashtme që dëmton interesat e njerëzve tjerë. Pohimet e tij erdhën si për ironi, pikërisht në kohën kur Moska vazhdon agresionin e saj brutal mbi Ukrainën fqinjë.
“Ne e kemi pranuar prej një kohe të gjatë se disa pjesë të politikave sovjetike kanë qenë të gabuara dhe vetëm kanë çuar në tensionim të marrëdhënieve. Nuk duhet bërë asgjë në politika të jashtme që bien ndesh me interesat e të tjerëve”, shprehet Putin.
Bashkimi Sovjetik e pushtoi Hungarinë më 1956 dhe Çekosllovakinë në 1969, pas protestave masive dhe kërkesave të tyre për më shumë liri. Deklarata e Putinit ishte reagim ndaj pyetjes së një moderatori sesi do t`i përgjigjej atyre që thonë se Bashkimi Sovjetik veproi si fuqi koloniale kur dërgoi tanket në Pragë dhe në Budapest. Ai shtoi se vendet perëndimore, sidomos Shtetet e Bashkuara, janë duke e bërë tani gabimin që e kanë bërë dikur sovjetikët.
“Ato u bëjnë presion aleatëve, të ashtuquajtur partnerë. Ato nuk kanë miq. Ato kanë interesa. Kjo është vazhdimësi e të ashtuquajturës formulë britanike”, u shpreh presidenti rus, komentet e të cilit mbi veprimet e Bashkimit Sovjetik në Hungari dhe Çekosllovaki kontrastojnë me pikëpamjet e rrethit të tij të ngushtë.
Në gusht, një një tekst të historisë, të shkruar nga një prej këshilltarëve të Putinit, Vladimir Medinsky, pretendohej se Revolucioni Hungarez i vitit 1956 ka qenë kryengritje fashiste e organizuar nga Perëndimi dhe se tërheqja e trupave sovjetike nga Hungaria më 1990 ka qenë vendim i gabuar.
Top Channel