Futbollistët u rikthehen klubeve, sërish në funksion të kombëtares!

12/09/2023 17:02

Entuziazmi i fitores ndaj Polonisë ia lë vendin për futbollistët e Kombëtares rikthimit në klubet respektive, aty ku, natyrisht, të gjithë duan të marrin maksimumin me fanellën që përfaqësojnë, diçka që është, pa dyshim, edhe në funksion të kombëtares.

Sfida e 12 tetorit me Republikën Çeke në “Air Albania” do të jetë jetike për të bërë edhe një tjetër hap drejt Europianit të Gjermanisë dhe jashtëzakonisht e rëndësishme do të jetë që në atë moment futbollistët të jenë, mbi të gjitha, në formë të mirë fizike, pa pësuar dëmtime, por edhe me minutat e nevojshme në këmbë.

Një ndër faktorët që kontribuuan në sukseset e shtatorit ishte pa dyshim edhe fakti që elementët kryesorë të kombëtares vinin të gjithë në formë, duke nisur nga sulmuesit, protagonistë me gola në skuadrat respektive, e po ashtu edhe në mesfushë apo mbrojtje, shumica absolute e lojtarëve vinin me minuta në këmbë e natyrisht një formë më të mirë e më shumë vetëbesim, me Sylvinhon që i duhet të bënte zgjedhjet e tij mbi një organikë me konkurrencë të jashtëzakonshme në çdo rol.

Ndryshe nga klubet, ku trajnerët punojnë përgjatë gjithë vitit me lojtarët dhe i bazojnë alternativat te merkato,  specifika e ekipeve kombëtare është pikërisht kjo, që futbollistët të vijnë në formën e duhur në një moment të caktuar, dhe mbi të gjitha të jenë në dispozicion duke evituar dëmtimet, edhe në këtë aspekt shtatori do të jetë i një rëndësie të madhe për të gjithë futbollistët që u duhet të përgjigjen gati në momentin e duhur për sfidën e madhe të tetorit./SuperSport

Top Channel

DIGITALB DIGITALB - OFERTA