Presidentja e vendit, Vjosa Osmani është pritur nga homologu i saj maqedonas, Stevo Pendarovski, në prag të takimit të liderëve në kuadër të procesit të Brdo-Brijuni.

Për këtë, Osmani ka njoftuar përmes rrjeteve sociale, derisa e ka falënderuar Pendarovskin për pritjen.

“Faleminderit President Stevo Pendarovski për pritjen sonte në Shkup para takimit të liderëve të Procesit Brdo-Brijuni. Mezi pres të diskutojmë hapat e përbashkët për të kapërcyer sfidat e përbashkëta, përpjekjet për prosperitet në rajon dhe ecjen 🇽🇰 përpara në rrugën e tij euroatlantike”, ka shkruar Osmani.

Në sesionin e përbashkët me liderë të rajonit, Osmani do ta mbajë fjalim, ndërkaq më pas do të zhvillojë takime bilaterale me krerët e disa shteteve pjesëmarrëse, njofton Presidenca.

Temat qendrore të takimit të sivjetmë janë përshpejtimi i procesit të anëtarësimit në BE, luftimi dhe zvogëlimi i pasojave nga ndryshimet klimatike në rajon, si dhe krijimi i kushteve për qëndrimin e të rinjve në Ballkanin Perëndimor.

Takimi i Brdo-Brijuni është ngjarje vjetore multilaterale në të cilën takohen presidentët e gjashtë shteteve të Ballkanit Perëndimor si dhe të Sllovenisë dhe Kroacisë, e ku fokusi kryesor është në procesin e zgjerimit të Bashkimit Evropian dhe anëtarësimin e rajonit në BE.

Ky proces është një nismë rajonale e bashkë-themeluar nga presidentët slloven dhe kroat në vitin 2010.

Gjatë qëndrimit të Maqedoninë e Veriut, Presidentja Osmani, krahas presidentit Stevo Pendarovski dhe atij të Shqipërisë, Bajram Begaj, do të marrë pjesë në ceremoninë e përurimit të bustit të Shën Terezës në hapësirën e Ambasadës së Republikës së Kosovës në Shkup./KosovaPress

Top Channel