Kryetari i komunës së Mitrovicës së Veriut, Erden Atiq tha se ka shtyrë sërish zbatimin e vendimit për lirimin e një ndërtese komunale nga punonjësit e strukturave serbe.
Kjo është hera e dytë që nga 25 gushti që kjo komunë shtyn vendimin, mes shqetësimeve ndërkombëtare për ndikimin e mundshëm të këtij vendimi në situatën e sigurisë.
Në vendimin e autoriteteve lokale në Mitrovicën e Veriut për shtyrjen thuhet se inspektorati komunal detyrohet që të faktojë rrethanat dhe arsyet e përdorimit të objektit në fjalë.
“Inspektorati Komunal duhet të sjellë Raportin nga pika 1) e këtij neni brenda afatit kohor prej 15 ditësh, pas pranimit të të cilit e pas vlerësimit të të gjeturave të cilit, ky Vendim ekzekutohet përmes procedurës përmbarimore, nëse palët kanë refuzuar lirimin vullnetar të objektit”, thuhet në vendimin e komunës.
Në ndërtesën e diskutueshme veprojnë katër institucione që financohen nga qeveria e Serbisë: Zyra për Kosovën në qeverinë serbe, Qendra për Punë Sociale nga Vushtrria dhe i ashtuquajturi Qarku Administrativ i Mitrovicës.
Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiç tha më herët të premten se nuk po bëhet asnjë diskutim që serbët t’ua lënë ndërtesat atyre që nuk i kanë takuar ndonjëherë.
Ai i bëri këto komente gjatë një konference me gazetarë në Beograd, në ditën kur pritej të skadojë afati dy javor i autoriteteve lokale në Mitrovicën e Veriut për zbatimin e vendimit për lirimin e një ndërtese komunale nga punonjësit e strukturave serbe.
Lista Serbe, subjekti kryesor i serbëve të Kosovës dhe zyrtarë në Beograd kanë thënë se nuk do të lirojnë ndërtesën komunale që menaxhohet nga strukturat e Serbisë në Mitrovicën e Veriut dhe se kjo çështje duhet të zgjidhet në kuadër të dialogut në Bruksel. Ata i kanë bërë thirrje faktorit ndërkombëtar që, siç thanë ata, “të parandalojë regjimin e Prishtinës që të përshkallëzojë situatën dhe të shkaktojë tensione shtesë që mund të kenë pasoja të paparashikueshme në terren”.
Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara i kanë kërkuar Kosovës të bashkërendohet për të gjitha veprimet që lidhen me komunat veriore, duke theksuar se vendimi i autoriteteve në Mitrovicën e Veriut bie ndesh me përpjekjet për uljen e tensioneve në veriun e banuar me shumicë serbe.
Edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha një ditë më parë pas takimit me presidenten e Kosovës Vjosa Osmani në selinë e NATO-s në Bruksel, se është thelbësore të shmanget përshkallëzimi i mëtejshëm i situatës në veri të Kosovës ndërsa i kërkoi autoriteteve në Prishtinë të bashkërendohen me mekanizmat ndërkombëtarë për veprimet në veri.
Bashkimi Evropian ka njoftuar datën 14 shtator për një takim të nivelit të lartë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë në Bruksel, ku do të kërkohen zgjidhje për situatën aktuale ndërmjet të dyja vendeve.
Presidenti serb, Aleksandar Vuçiç tha sot se dialogu është e vetmja mënyrë për të zgjidhur problemet, të cilat sipas tij po grumbullohen. Ai tha se Serbia ka treguar vullnet të mirë duke biseduar me përfaqësuesit e serbëve në Kosovë, që të jenë gjithmonë të gatshëm të pranojnë dialogun, si dhe për çështjen e mbajtjes së zgjedhjeve në veri.
Që nga fundi i muajit maj të këtij viti tensionet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë mbeten të larta që kur kryetarët shqiptarë që dolën nga zgjedhjet e 23 prillit të bojkotuara nga serbët, u dërguan në zyrat e komunave veriore me mbështetjen e policisë.
Bashkimi Evropian kërkon uljen e tensioneve përmes një plani që parashikon pezullimin e operacioneve policore në veri, zhvendosjen e kryetarëve të komunave në zyra alternative dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme me pjesëmarrje të pakushtëzuara të serbëve të Kosovës.
Qeveria e Kosovës tashmë ka përgjysmuar praninë e njësive të policisë në ndërtesat komunale në veri dhe ka rënë dakort për organizimin e zgjedhjeve të reja. Autoritetet në Kosovë thonë se procedura përmes peticionit do të ishte mënyrë më demokratike dhe do të siguronte pjesëmarrjen e serbëve në zgjedhje, por ende mbetët e paqartë nëse serbët do të përdorin peticionin për të larguar kryetarët aktualë./VOA
Top Channel