Mashtrimi si akt është po aq i vjetër sa njerëzimi.
Mashtrimi financiar është po aq i përhapur sot sa ishte mbi 100 vjet më parë, kur italiani Charles Ponzi mashtronte investitorët duke përfituar nga pasuritë e tyre. Ky është një nga mashtrimet më të hershme financiare të profilit të lartë të regjistruar ndonjëherë.
Vitet e fundit janë shtuar rastet e akuzave dhe dënimeve për skema të ndryshme mashtrimi. Më i fundit është ai i themeluesit të kompanisë Thodex, Faruk Fatih Ozer, i cili u dënua sot (8 shtator 2023) me 11,196 vjet burg nga një gjykatë turke për krime të shumta duke përfshirë mashtrimin, udhëheqjen e një organizate kriminale dhe pastrim parash.
Faruk Fatih Ozer akuzohet për mashtrimin e 368 mijëra investitorëve të kripomonedhave që sipas mediave turke arrijnë shifrën e 2,6 miliard dollarë. Ky mund të jetë një ndër dënimet më të gjata të dhëna nga një gjykatë turke përfshirë dhe atë të liderit të kultit turk, Adnan Oktar i cilu u dënua në 2022 me 8658 vite burg me një aktakuzë prej 499 faqesh që e portretizonte atë dhe 13 të tjerë si një bandë kriminale që kryente shantazh, zhvatje, pastrim parash, përgjim të paligjshëm, mashtrim, kërcënim, tentativë për vrasje, falsifikim, si dhe abuzim seksual.
Një grua mban rekordin botëror të dënimit më të gjatë për mashtrim me 141 mijë vite
Bashkëshortja e një oficeri të lartë të Forcave Ajrore në Tajlandë u përfshi në një skenë piramidale, duke mashtruar plot 16, 231 persona, duke përfituar një shumë prej 2 milionë paund. Ajo quhet Chamoy Thipyaso, një ish-punonjëse e Autoritetit të Naftës së Tajlandës, e cila u dënua në vitin 1989 me 141.078 vite burg.
Ky është dënimi më i gjatë në botë për mashtrim të koorporatave sipas Guinness World Records. Gjithashtu dënimi më i gjatë, jo i përjetshëm, i konfirmuar zyrtarisht i dhënë ndonjëherë në botë mbahet pikërisht nga kjo grua. Megjithatë, ligji tajlandez i asaj kohe specifikonte se të dënuarit për mashtrim nuk mund të vuanin më shumë se njëzet vjet burg dhe lirimi i saj i detyrueshëm ishte në vitin 2009, ajo u lirua me kusht pas vetëm tetë viteve.
Pudit Kittithradilok po nga Tajlanda është i dyti në botë që ka dënimin më të gjatë me akuzën për mashtrim. Ai është dënuar me 13, 275 vjet në vitin 2017-të për 2653 akuza për mashtrim. Ai pranoi drejtimin e një skeme Ponzi ku u premtonte investitorëve kthime financiare artificialisht të larta. Rreth 40,000 njerëz u bindën të derdhnin më shumë se 160 milionë dollarë në kompanitë e tij.
Prokurorët i thanë gjykatës se Kittithradilok organizoi seminare ku pjesëmarrësit inkurajoheshin të investonin në atë që ai tha se ishin biznese të lidhura me zhvillimin e pronës, bukurinë, makinat e përdorura dhe eksportet, ndër të tjera. Për shkak të rrëfimit të tij, dënimi i tij u përgjysmua në 6637 vjet e gjashtë muaj. Ai do të lirohet në vitin 2037.
Vendin e tretë deri tani e mbante lideri turk i kultit Adnan Oktar me 8658 vite burg por pas dënimit të bosit të kriptomonedhës Faruk Fatih Ozer, bashkëkombësi i tij bie nga froni i vendit të tretë./ TCH
Top Channel