50 efektivë të RENEA-s së bashku me 500 forca nga FNSh dhe polica e rendit zbarkuan me helikopter në zonat malore në Mnelë, Shllak, Temal, Vilzë, Prekal, Ura e Shtrenjtë, Kir dhe Ana e Malit ku asgjësuan rreth 13 mijë bimë kanabisi por nuk mundën dot të bien në gjurmë të kultivuesve të tyre.
Ndërkohë nga fillimi i vitit numërohen rreth 289 mijë fidanë e bimë kanabisi të asgjësuara që janë zbuluar nga kontrollet e territorit si edhe nga fluturimet e GDF.
Policia ka identifikuar si të përfshirë në këtë veprimtari kriminale 202 persona nga të cilët 111 janë arrestuar, 63 janë në arrati e 29 të tjerë kanë marrë masa më të lehta për shkak të rrethanave që janë gjetur.
Në bazë të strategjisë kombëtare antikanabis që prej vitesh po aplikohet në Shqipëri ndëshkohen jo vetëm ata që kultivojnë kanabis por dhe të tjerët që janë në dijeni si administratorët e zonave apo kryepleqtë.
Nga fillimi i vitit deri në fund të gushtit janë proceduar 114 persona për veprën penale të shpërdorimit të detyrës por edhe moskallëzimit të krimit.
Zonat më problematike sa i takon kultivimit edhe këtë vit kanë qenë Shkodra dhe Kruja. Rasti më flagrant i kultivimit të kanabisit këtë vit ishte në repartin e zall- herrit, ku kultivuesit kishin depërtuar Brenda territorit ushtarak për të kultivuar bimët.
Por përgjithësisht kontrollet e vazhdueshme nga terreni dhe ajri i kanë shtyrë kultivuesit drejt zonave malore të izoluara ose drejt shtëpive të barit.
Top Channel